Lajme

Qeveria rimburson akcizën e verës

Ministri Stavileci ka treguar se eksporti i verës në Kosovë është rritur dukshëm. Në vitin 2010 janë eksportuar rreth 2.4 milionë litra verë, ndërsa në vitin 2011 janë eksportuar rreth 4 milionë litra.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci u ka premtuar kultivuesve të rrushit dhe prodhuesve të verës, se Qeveria e Kosovës pas rishikimit buxhetor, do të rimbursojë akcizën e verës për kompanitë vendore.

Ky rimbursim, sipas Stavilecit, parashihet të kryhet përmes deklarimeve që bëjnë kompanitë për verën e prodhuar në vit, të cilat duhet të jenë të regjistruara dhe të licencuara edhe në Entin e Verërave dhe Vreshtave në Rahovec.

Ministri i Bujqësisë këto komente i bëri në Forumin e Verërave 2012 mqë u mbajt në Prishtinë. Ai tha se edhe në këtë vit, dikasteri që drejton, është duke e përkrahur ngritjen e sipërfaqeve të reja me hardhi të rrushit të tryezës.

“Ne edhe këtë vit jemi duke e përkrahur ngritjen e sipërfaqeve të reja me hardhi të rrushit të tryezës, si dhe jemi duke investuar përsëri në modernizimin e pajisjeve dhe në infrastrukturën përcjellëse…në vitin 2011 janë përkrahur nga Ministria e Bujqësisë 112 hektarë sipërfaqe të reja me vreshta”, tha ai.

Stavileci ka treguar se edhe eksporti i verës është rritur dukshëm në vitin e kaluar, ngase në vitin 2010 janë eksportuar rreth 2.4 milionë litra verë, ndërsa në vitin 2011 janë eksportuar rreth 4 milionë litra.

Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se tregtarët kosovarë tashmë janë duke i promovuar produktet e tyre edhe jashtë vendit. “Është e vërtetë se tregtarët kosovarë janë duke bërë çmos që jo vetëm në tregun vendorë, por edhe në të jashtëm të promovojnë vlerat e produkteve dhe përmes vlerës të promovohet kultura dhe civilizimi në vendin tonë”, ka thënë Gërxhaliu.

Sektori privat, sipas kreut të OEK-ut, ka shumë nevojë për mbështetje dhe në të ardhmen duhet të ngritet edhe më tej kualiteti i produkteve, i cili sipas tij është edhe parakusht i përmbushjes së kritereve dhe standardeve evropiane.

Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se kultivimi i hardhisë së rrushit është njëra prej veçorive kryesore, që i identifikon banorët e komunës së Rahovecit. Ai tha se pavarësisht problemeve që kanë pasur banorët e kësaj ane, përkrahja institucionale ka bërë që ata të mos e lënë anash këtë sektor.

Aktualisht, sipas Ministrisë së Bujqësisë, në Republikën e Kosovës operojnë 14 kompani të licencuara që merren me përpunimin e rrushit dhe kultivimin e verërave dhe rakisë. Ato janë, Stone Castle Vinezard&Winerz, Haxhijaha, Muja, Rahoveci, Dea, Biopak, Agro-alf, Rahvera, Daka, Boemi, Bahha, Agrokosova, Sefa dhe Jido. Po ashtu në Kosovë operojnë edhe 33 kompani që realizojnë importin e verës dhe produkteve tjera nga rrushi dhe vera.