Lajme

Qeveria miraton privatizimin e PTK-së

Qeveria e Kosovës e ka miratuar shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Në bazë të këtij vendimi, brenda dy muajve PTK-në do ta marrin në menaxhim kompania “Axos GMBH”

Qeveria e Kosovës ka aprovuar të martën Raportin e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) dhe ka obliguar komisionin që të zhvillojë procesin e mëtejshëm sipas procedurave dhe afateve kohore, për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Ministri i Zhvillimit Ekonimik, Besim Beqaj ka njoftuar Kabineti qeveritar për zhvillimin e procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Ndërmarrjes Publike – Posta dhe Telekomi i Kosovës.

Procesi i Privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës është udhëhequr nga Komisioni Qeveritar në përbërje: Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik                      kryesues; Mimoza Kusari, ministre e Tregtisë dhe Industrisë; Fehmi Mujota, ministër i Infrastrukturës; Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Bedri Hamza, ish-stër i Financave.

“Këtu kemi të bëjmë me shitjen e 75% të aseteve të operimit të PTK-së, ndërsa trashëgimtare e të gjitha aseteve fizike të PTK-së do të jetë ndërmarrja e re publike “Posta e Kosovës”, e cila është themeluar nga Qeveria e Kosovës”, tha Beqaj në mbledhjen e Qeverisë.

Me shitjen e 75% të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, sipas tij, krijohet një partneritet strategjik publik- privat për zhvillimin e këtij sektori, me operator seriozë dhe të fuqishëm ekonomik.

“Ndërmarrja e re, e cila do të krijohet pas privatizimit, do të jetë kontribuuese e fuqishme e Buxhetit të Kosovës, përmes pagesës së tatimit dhe ndarjes 25% të dividendës për Qeverinë e Kosovës”.

“Ndërmarrja e re ka ofruar edhe garancinë për të gjithë të punësuarit në 3(tre) vitet e ardhshme si dhe detyrimet ndaj Ndërmarrjes Publike – Posta e Kosovës, për shfrytëzimin e aseteve fizike të saj”, ka thënë Beqaj.

Edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari, ka informuar kabinetin qeveritar për përkrahjen që Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik i ka dhënë procesit dhe ka theksuar se mbështetje për procesin kanë deklaruar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca e Biznesit dhe Oda Ekonomike Kosovare Amerikane.

Ndryshe, disa ditë më parë Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së ka hapur ofertat konkurruese dhe ka konstatuar se fituese e tenderit për privatizimin e dy të tretave të PTK-së është kompania gjermane “Axos GMBH” në konsorcium me “Najafi Companies” dhe British Telekomin.

Kompania fituese ka ofruar 277 milionë euro. Nënshkrimi i kontratës parashihet në 60 ditë, ndërsa nga nënshkrimi i kontratës deri në procesin e përmbylljes financiare kërkohen edhe dy muaj të tjerë. Sipas zëvendëskryeministres Kusari-Lila, PTK në të ardhmen do të jetë ndërmarrje private sikurse 120 mijë ndërmarrjet tjera.