Lajme

Qeveria e zhytur në borxhe

Qeveria e Kosovës është ndër borxhlinjtë me të mëdhenj ndaj bizneseve kosovare. Llogaritet që mbi 80 milionë është borxhi që nuk u ka larë kompanive kontraktuale

Mbi 80 milionë euro është borxhi që Qeveria e Kosovës ua ka bizneseve kosovare. Biznesmenët janë në gjendje të japin edhe ryshfet për t’i marrë paratë e tyre. Me këtë borxh dhe me mospagesën e duhur, qeveria po godet bizneset të cilat nuk kanë as ku të ankohen.

Në një raport t gazetës “Express” ka biznese në Kosovë që me vite presin nga Qeveria që t;ua jap paratë për të cilat ishin kontraktuar. Duke mos inkasuar mjetet e tyre, këto biznese po pësojnë kriza financiare dhe vështirësi në veprimin e tyre. Me këto mospagesa edhe po zgjerohet zinxhiri i borxhlinjve në treg.

Biznesmeni N.I ka rrëfyer për Express, në kushte anonimiteti, se ka disa muaj që nuk po i kryhet pagesa prej 100 mijë eurove. Këto para ai i ka futur në një projekt qeveritar, por edhe pse janë kryer punimet, pagesa nuk po i kryhet.

“Jam në gjendje që t’i jap para dikujt vetëm që të më kryhet kjo pagesë”, ka thënë ky biznesmen, që nuk ka dashur t’i përmendet emri nga frika se mund të dëmtohet në marrjen e tenderëve.

Organizatat buxhetore publike janë jashtëzakonisht të këqija në ekzekutimin e pagesave në lidhje me kontraktuesit e tyre. Këtë çështje më herët e pati ngritur edhe Shoqata e Naftëtarëve në një takim me ish-ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Bizneset patën deklaruar se vonesat e pagesave i kanë detyruar ata të marrin kredi të pafavorshme, por ka ndodhur që edhe kanë falimentuar.

Nga Komisioni për Buxhet dhe Financa kanë vlerësuar se mbi 80 milionë euro llogaritet të arrijë vlera e borxheve të Qeverisë për investime kapitale. Këtë e tregon edhe një vendim i marrë se fundi nga Qeveria për të marrë borxh nga buxheti i vitit 2013, që t’i kryejë obligimet e pashlyera nga viti 2012.

Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se me këtë po rrezikohet likuiditeti i bizneseve.

“Këto vonesa e rrezikojnë likuiditetin e bizneseve dhe mund t’i sjellë ato në pozita të palakmueshme. Shto këtu edhe faktin se qasja e bizneseve në financa është shumë e vogël dhe kamatat e larta”, ka thënë Rukiqi.

Se bizneseve u bie të presin edhe me vite për t’i marrë paratë e tyre tregon edhe bartja e borxheve nga viti në vit. Në vitin 2009 kanë qenë 4 milionë euro borxhe të bartura, vitin 2010 – 28 milionë, vitin 2011 – 40 milionë euro.

 Nëse vazhdon kështu, vlerësohet se këtë vit do të jenë 80 deri 90 milionë euro borxhe të bartura, që tregon se institucionet u kanë hyrë obligimeve pa mbulesë financiare.