CH-Ballkani

Qeveria e re në Maqedoni: Ivanov ka shansin e fundit

Me shpalljen e vendimit në “Gazetën zyrtare” të kryeparlamentarit të ri, Talat Xhaferi, fillojnë dhe të rrjedhin 10 ditët për dhënie të mandatit për koalicionin e ri qeverisës. Ekspertë dhe partitë nga shumica parlamentare presin që Ivanov të ndajë mandatin si shans i fundit që të sillet sipas Kushtetutës, ndryshe “qeveria do të formohet pa mandatin e presidentit”

“Gazeta zyrtare” ka publikuar vendimin për Talat Xhaferin si kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë. Kjo nënkupton se fillojnë të rrjedhin 10 ditë për dhënie të mandatit për formimin e Qeverisë së re.

Xhaferi e njoftoi me shkrim presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov, se është formuar shumica parlamentare, derisa ekspertët thonë se së shpejti do të kemi qeveri të re, në të kundërtën, “shumica parlamentare do ta zgjedhë vetë Qeverinë”.

“Unë shpresoj dhe besoj pas të gjitha këtyre vlerësimeve apo vizitave, Ivanov është i bindur se ka kryetar të Parlamentit dhe janë ndarë kompetencat parlamentare në vend të duhur dhe se ai do të reflektojë në këtë drejtim. Shumica parlamentare ka pritur 5 muaj dhe nuk e kemi për huti, le të rrjedhë edhe ai afat 10 ditësh ose i pushon ajo e drejtë dhe vazhdojnë të vlejnë kompetencat e Parlamentit”, ka thënë Xhaferi, njofton albinfo.ch.

Ndërkohë, ekspertë dhe partitë nga shumica parlamentare presin që presidenti Ivanov të ndajë mandatin dhe thonë se është ky shans i fundit që të sillet sipas Kushtetutës. Eksperti juridik, Osman Kadriu, thotë se janë plotësuar konditat kushtetuese dhe ligjore shumë më herët se kur kemi tanimë zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit dhe se Ivanov obligim e ka që tani t’ia japë mandatin koalicionit, liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

“Impiçment” për Ivanovin

“Edhe zyrtarisht Ivanov është i njoftuar nga kryetari i Parlamentit se është caktuar shumica parlamentare për formimin e qeverisë, nëse vepron sipas Kushtetutës, është i obliguar t’ia besojë mandatin mandatarit të ri. Partia shumicë është mazhoranca që do të presë të kalojë afati dhe nëse pa arsye përsëri nuk ia beson mandatin, atëherë shumica parlamentare në bazë të Kushtetutës ka të drejtë ta formojë qeverinë pa mandatin e kryetarit”, ka thënë Kadriu për albinfo.ch. Sipas tij, VMRO pranoi të jetë në opozitë, deri tani edhe kryetari i shtetit ka qenë peng i kësaj partie dhe ai me siguri se do të përcaktohet në dhënien e mandatit liderit socialdemokrat. Me atë, sipas Kadriut, do të rrumbullakohet një obligim kushtetutes që të formohet qeveria e shumicës së re.

“Edhe nëse jep mandatin kryetari i shtetit, nuk do mund të ikë përgjegjësisë politike apo “impiçmentit”, që një procedurë e tillë do të ushtrohet në Parlament me kërkimin e përgjegjësisë ndaj tij”, ka thënë tutje Kadriu. Nga kabineti i Ivanovit nuk ka përgjigje nëse Ivanov do të presë afatin ligjor prej 10 ditësh, me çka do të vendosë nëse do të ndajë mandatin ose jo. Ndërkohë, nga BDI thonë se presidenti Ivanov ka shansin e fundit të sillet në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe të ndajë mandatin.

Çfarë thonë partitë?

“Institucionet kanë shansin e fundit të reflektojnë mbi zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve. “Gazeta zyrtare” reflektoi dhe këtë shans tanimë e ka Ivanovi”, ka thënë për albinfo.ch zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Nga Aleanca për shqiptarët theksojnë se nëse Ivanov nuk do të ndajë mandatin, atëherë me siguri Parlamenti do të duhet ta përfundojë punën.
“Pas ndodhive të 27 prillit, ne nuk planifikojmë të komunikojmë me këtë ‘president’, pasi konsiderojmë se ai është njëri nga njerëzit që ka skanuar këtë situatë”, kanë thënë nga Aleanca.

Nga Lëvizja “Besa” kanë thënë se në parim e përkrahin çdo iniciativë për zgjidhjen e krizës dhe marrjen e mandatit.

“Por, nuk shohim pse duhet të shkojmë të gjithë ne dhe ta lusim Ivanovin për një detyrim kushtetues që e ka”, kanë thënë nga “Besa”. Nga LSDM-ja thonë se presin që pas përfundimit të procedurave të nisin bisedimet për formimin e qeverisë së re. Oliver Spasovski i quajti spekulime informacionet për gjoja nisjen e bisedimeve apo edhe ndarjen e posteve ministrore. Ai tha se për momentin është vetëm një e sigurt: “Zoran Zaev do të formojë qeverinë e re”.

Ndryshe, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se Qeveri të re do të ketë deri në fund të muajit dhe pret t’ia ndajë mandatin presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, për të formuar Qeverinë e Maqedonisë, njofton albinfo.ch.