Kosova

Qëndrimet e VV-së dhe LDK-së për Asociacionin

Përmes një komunikate për media, Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se është ftuar nga ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, që të marrë pjesë në takimin e nesërm, në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë takim, do të konfirmojë edhe një herë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së.

“Orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme dhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme”, thuhet në komunikatën e dërguar mediave.

Sa i përket temës në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë.

Sipas LDK-së, kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja thotë se në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato.

“Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme. LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos fshihet prapa akuzave populiste ndaj opozitës, por të ushtrojë përgjegjësitë e saja si shumicë dhe të trajtojë këtë çështje në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë”, thuhet në komunikatë.

Nga ana tjetër, lëvizja Vetëvendosje është kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike. Kështu kanë deklaruar përfaqësuesit e kësaj partie, Alim Rama e Hajrulla Çeku gjatë një takimi që kanë zhvilluar me drejtorin e FES për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, René Schlee.

“Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, brenda kornizave ligjore-kushtetuese”, kanë thënë përfaqësuesit e LVV-së.

Sipas njoftimit për media lëshuar nga kjo parti, më e madha në Kosovë, thuhet se bashkëpunimi në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Social Demokrate të Gjermanisë do të jetë një nga objektivat kryesore gjatë këtij viti, në kuadër të rritjes së koordinimit me familjen Social Demokrate në EU dhe në botë.

Sipas të njëjtit njoftim, në takim janë dakorduar për koordinim e bashkëpunim për vitin 2023, me theks të veçantë në fuqizimin e kapaciteteve organizative, politikën publike dhe qeverisjen lokale. Po ashtu, partia më  madhe kosovare ka ftuar FES-in, që të bëjnë një studim krahasimor për respektimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë dhe në vendet e tjera përfshirë Serbinë.