Lajme

Aksidenti e kthen pushimin e mërgimtarit në dëshpërim

Jo çdo mërgimtar është i vetëdijshëm se dëmtimi i makinës në Kosovë, qoftë ai edhe me sigurim kasko nga shteti prej ku vjen, nuk nënkupton kompensim automatik të dëmit.Së paku jo për një numër të madh kompanish të sigurimeve zvicerane.

Pasi që pjesa më e madhe e tyre nuk mbulojnë territorin e Kosovës, me arsyetimin se ky vend nuk është anëtar i Byrosë së Sigurimeve Ndërkombëtare.

Kështu e ka pësuar me veturën e tij pas një aksidenti në Kosovë mërgimtari Bedri Smajli.

Vetura e Renault Espace ishte bërë jofunksionale, pasi ishte dëmtuar nga ana e djathtë dhe rrota e pare, pasi është goditur nga një traktorist në lëvizje në Vushtrri.

Pushimet pranë familjarëve në Kosovë pas aksidentit i kthehen në dëshpërim.

Edhe pse me sigurim kasko, telashet me veturën e aksidentuar i shkaktuan humbje të mëdha mërgimtarit nga Vushtrria.

Kthimi në Zvicër me aeroplan për gruan dhe tre fëmijë i ka kushtuar jo më pak se 2000 franga.

Shpresat se do t’i kompensohen të gjitha shpenzimet për shkak të sigurimit kasko i janë shuar në Zvicër Bedri Smajlit, kur merr vesh se kompania që kishte siguruar veturën nuk mbulon aksidentet në territorin e Kosovës, me arsyetimin se ky vend nuk është anëtar i Byrosë së Sigurimeve Ndërkombëtare.

„Më thanë se nuk e mbulon Kartoni i Gjelbër, dhe nuk paguajmë asgjë, pra as kthimin e vetures, as riparimin, as biletat e aeroplanit, d.m.th. asgjë. Por, mllefi edhe më i madh ishte se hulumtova sigurimet e tjera dhe i gjeta se disa prej tyre i mbulojnë dëmet edhe në Kosovë“, tha Smajli për albinfo.ch, duke ofruar të gjitha dëshmitë për aksidentin që ia prishi pushimin e verës.

Megjithëse ai kishte paguar 20 euro Kartonin e Gjelbër me të hyrë në Kosovë, ai thotë se edhe më pak pret kompenzimin e dëmit nga kompanitë e sigurimeve kosovare, ngase ishte vetë fajtor.

Ai i fton të gjithë mërgimtarët që të kenë kujdes kur të sigurojnë veturat e tyre me sigurim “kasko” (sigurimi maksimal) apo me sigurime të tjera, ngase mund të kenë fatin e njëjtë.

Edhe albinfo.ch ka shkruar disa herë për raste të tilla të aksidenteve me sigurim “kasko” (sigurimi maksimal), kur ata shpallen fajtorë në Kosovë, dëmet e veturave duhet t‘i paguajnë nga xhepi i tyre.

Këtë duhet ta bëjë tashmë edhe Bedri Smajli.

Sido që të jetë, edhe gjatë kësaj vere diaspora kosovare nuk e kishte mundësinë të udhëtojë me automjete për pushime në Kosovë pa pasur nevojë të ndalojë në kufi për t’u dhënë “haraçin” kompanive të sigurimit që operojnë atje në emër të Kartonit të Gjelbër.