Jeta në Zvicër

Publikohet Raporti Vjetor i BFM-së për Integrimin

BFM ka mbështetur me 13.4 milionë franga një seri masash për integrim në kantone lidhur me integrimin gjuhësor, profesional dhe social të migrantëve

Zyra Federale për Migracion (BFM/ODM)ka publikuar sot Raportin Vjetor me titull “Promovimi i integrimit nga ana e federatës dhe ndikimi i tij në kantone, gjatë vitit 2013”. Ky raport tregon se si janë shfrytëzuar kontributet e federatës për promovimin e integrimit gjatë vitit 2013. BFM ka mbështetur gjatë periudhës së përmendur me 13.4 milionë franga një seri masash për integrim në kantone, që kanë të bëjnë me integrimin gjuhësor, profesional dhe social të migrantëve.

Nga 1 janari 2014 kantonet janë kompetente për jetësimin e masave të integrimit. Ato kanë ndërtuar së bashku me federatën programet kantonale për integrim (KIP). Këto programe fillojnë nga këshillimet individuale të migrantëve deri te kurset gjuhësore profesionale dhe përkthimet profesionale e ndërkulturore në spitale.

13.4 milionë franga që i ka investuar BFM në KIP nuk janë te orientuara vetëm në masat mbështetëse nga shteti. Ato janë menduar edhe për të kërkuar nga vetë migrantët përpjekje personale, si për shembull që t`u përmbahen marrëveshjeve për integrim.

Raporti tregon më tutje se si i realizon BFM programet dhe projektet me rëndësi nacionale për promovimin e integrimit. Në këtë kontekst bëhet fjalë për fushat si zhvillimi në lagje, promovimi i mësimit të gjuhës për nevoja të përditshme por edhe temat komplekse si martesat me detyrim. Në këto masa hyn edhe projekti i realizuar në vitin 2013 për pranimin dhe integrimin e refugjatëve në gjendje veçanërisht të ndjeshme si ata nga zonat e konflikteve si Siria etj. Deri në vitin 2016 do të pranohen 500 refugjatë dhe do të trajtohen me një program special integrimi, thuhet në komunikatën e BFM lidhur me raportin.

Në raportin e përmendur zihen në gojë edhe masat e BFM-së për integrimin më të shpejtë të refugjatëve të pranuar dhe me status të përkohshëm. Kantonet kanë marrë me këtë rast paushalle në vlerë prej 35.3 milionë frangash.