Tematike

Pse po shtrenjtohen sigurimet shëndetësore?

Rritjet e sigurimeve shëndetësore për çdo vit i kanë hutuar qytetarët, të cilët detyrohen të shëtisin prej një sigurimi në tjetrin

Paralajmërohet sërish rritje e sigurimeve shëndetësore në Zvicër për vitin e ardhshëm.

Këto parashikime i ofrojnë faqet e specializuara të internetit.

Sipas comparis.ch, premitë do të rriten mesatarisht prej 3% për vitin 2012. Ndërsa bonus.ch lajmëron një rritje deri në 5.2%.

Nga ana tjetër, rritjet e sigurimeve shëndetësore për çdo vit i kanë hutuar qytetarët, të cilët detyrohen të shëtisin prej një sigurimi në tjetrin, duke shpresuar se do të kursejnë.

Ahmet Duka nga Cyrihu thotë se rritjet janë vetëm strategji e kompanive të sigurimeve për të tërhequr sa më shumë klientë.

“Nëse unë e gjej një sigurim shëndetësor më të lirë për vitin e ardhshëm, është shumë e sigurt që i njëjti do të shtrenjtohet në fund të vitit. Do të thotë është fjala vetëm për të tërhequr më shumë klientë. Kështu që nuk e kam në mend ta ndërroj sigurimin këtë vit”, deklaron për albinfo.ch Ahmet Duka, me prejardhje nga Deçani i Kosovës.

Ndryshe mendojnë njohësit e sigurimeve shëndetësore. Sipas tyre, rritja e premive po ndodh për shkak të shtrenjtimit të shërbimeve mjekësore.

Arsim Hyseni, njohës i sigurimeve në Zvicër

“Ajo që po na përcjell vazhdimisht është ngritja e çmimeve të shërbimeve spitalore. Shfrytëzimi më i madh i shërbimeve mjekësore se sa më parë. Me një fjalë, sot shkojmë te mjeku edhe për gjëra të vogla, që më herët nuk kemi shkuar, e që shpesh me përdorimin e një bari të blerë direkt në barnatore kemi evituar vizitën te mjeku”, arsyeton rritjen e premive njohësi i sigurimeve shëndetësore në Zvicër, Arsim Hyseni.

Ndikim të veçantë në ngritjen e premive për vitin e ardhshëm ka edhe miratimi i Ligjit për financimin e spitaleve, sipas të cilit edhe nëpërmjet sigurimit bazë është i mundur mjekimi jashtë kantonit, nëse një gjë e tillë është e nevojshme.

Hyseni fajëson edhe mjekët, të cilët bartin një pjesë të përgjegjësisë për rritjen e premive shëndetësore.

“Pastaj pjesërisht edhe fryrja e faturave apo “gabimet e mjekëve” gjatë faturimit të shërbimeve që iu ofrojnë pacientëve. Mandej kësaj i shtohet edhe futja e marrë përsipër e akupunkturës dhe 5 metodave të tjera të mjekimit alternativ në katalogun e shërbimeve të sigurimit bazë”, bën të ditur Hyseni.

Ai nuk e konsideron të domosdoshëm ndërrimin për çdo vit të sigurimeve shëndetësore.

Por, sugjeron të bëhet krahasimi i çmimeve të sigurimeve bazë.

“Ndërrimi i sigurimit bazë nuk kushtëzohet nga gjendja aktuale shëndetësore dhe shpesh mund të kursehen qindra franga në vit, e nganjëherë edhe më shumë se një mijë po dy mijë franga”, thekson Hyseni.

Megjithatë, nëse keni vendosur të braktisni sigurimin që e keni, atëherë njohësit e kësaj fushe sugjerojnë të krahasoni 3 deri në 4 oferta të ndryshme, edhe atë vetëm nëpërmjet një këshilltari të pavarur profesional.

“Disa prej sigurimeve shëndetësore (krankekasse) i kushtojnë rëndësi më të madhe familjeve dhe ofrojnë zbritje të ndryshme, si në sigurimin bazë, ashtu edhe në sigurimet shtesë. Kësaj i shtohen zbritjet të ndryshme kolektive të sigurimeve shtesë që ofrohen nëpërmjet firmave si dhe shoqatave të ndryshme. Për të gjetur një sigurim të tillë optimal, familjet praktikisht nuk kanë mundësi”, tregon Arsim Hyseni.

Edhe Teuta Kërhani, njohëse e sigurimeve në Zvicër, tërheq vëmendjen në ndërrimin e sigurimeve që i bëjnë klientët për çdo vit.

Teuta Kërhani, njohëse e sigurimeve në Zvicër

Ajo thotë se duhet respektohen afatet e caktuara me ligj për shkëputjen e kontratës me kompanitë e sigurimeve.

“Klientët mund të tërhiqen deri në fund të nëntorit prej pjesës së obliguar (KVG) edhe nëse nuk ka rritje, kurse prej sigurimeve plotësuese (VVG) deri në fund të shtatorit, por nëse shënojnë rritje, edhe deri në fund të nëntorit”, bën të ditur Kerhani.

Nëse dëshironi të shkëputni kontratën me sigurimet plotësuese shëndetësore, kjo preferohet të bëhet vetëm pasi të pranoheni në sigurimin tjetër.

“Të mos bëhen gabime që qytetarët të tërhiqen prej sigurimit shëndetësor ( VVG) pa e pranuar sigurimi e ri (VVG), dhe patjetër duhet të deklarohet gjendja reale shëndetësore, në të kundërtën, nuk e pranon sigurim i ri (VVG)”, thotë Kerhani.

Krahasimet e sigurimeve shëndetësore mund t’i gjeni në faqen e internetit comparis.ch., e cila është e specializuar për krahasime të sigurimeve në Zvicër.

Sigurimi shëndetësor bazë në Zvicër është i obliguar dhe të gjitha sigurimet ofrojnë përfitime të njëjta, por çmimet e premisë janë të ndryshme.

Sigurimi bazë mbulon shpenzimet e zakonshme dhe të arsyeshme të trajtimeve, që janë të domosdoshme nga aspekti mjekësor

Pothuajse në të gjitha sigurimet shëndetësore për të rriturit është e lejuar një pjesëmarrje vjetore (frashisë) prej 300, 500, 1000, 1500, 2000 ose 2500 frangash, kurse për fëmijët është e mundur një pjesëmarrje vjetore prej 100 deri 600 franga në vit.

Sigurimet plotësuese verifikojnë gjendjen shëndetësore të të siguruarit para se ta pranojnë atë. Sigurimi gjysmë privat mundëson trajtim të privilegjuar të të siguruarve.