Lajme
Promovohet libri poetik “Frymë” nga Isuf Sherifi
Ai jeton në Zvicër, është autor i disa librave, kurse poezitë i janë përkthyer në gjuhën gjermane dhe janë përfshirë nëpër antologji kombëtare e ndërkombëtare

Është promovuar libri “Frymë” nga autori i njohur, Isuf Sherifi. Libri më i ri poetik “Frymë”, i botuar nga “Ditët e Naimit” (2021), ka poezi me motive refleksive, sociale, intime etj.
Poezitë e shkurtra janë sentenciale dhe me përfundime befasuese. Te poezitë sentenciale poeti huazon nga areali i letërsisë gojore shqiptare, por poezia e tij shpalos kuptime të reja. Sentenca risemantizohet dhe zbulon shtresa më të thella kuptimore se sa sentenca burimore, shkruan portalb.mk, përcjell albinfo.ch.
Në librin e ri, ku autori ka përfshirë poezi që i ka përpunuar gjatë kohë dhe me shumë përkushtim, deri sa e kanë marrë formën përfundimtare, ka poezi që mund të lexohen ndaras, por së bashku me poezi të tjera shpesh krijojnë tërësi mbresëlënëse.
Isuf Sherifi i është përkushtuar poezisë, e cila është për të mënyrë komunikimi me botën, është mënyrë jetese, ngushëllim, lidhje me botën e tij të largët si gjeografi dhe të afërt si frymë, si hije, si shajni. Ai jeton në Zvicër, është autor i disa librave, kurse poezitë i janë përkthyer në gjuhën gjermane dhe janë përfshirë nëpër antologji kombëtare e ndërkombëtare. Poezia e tij mund të përkthehet në gjuhë të tjera dhe ta ruajë bukurinë origjinale. Pra, nuk humb shumë gjatë përkthimit, siç thuhet. Isuf Sherifi nuk është poeti në mërgim, por poeti në ekzil, sepse ka qenë i përndjekur për shkak të perlës që e ka brenda qenies së tij, siç thuhet në një tregim të Gibranit. Libri Fryma na krijon kënaqësi të veçantë estetike, na trazon emocionalisht dhe shpreh mendime të thella për motive të ndryshme që lidhen me botën tonë kombëtare dhe atë universale.
Isuf Sherifi nuk ka hequr dorë nga gjuha amtare dhe as nga lidhja me vendlindjen. Ai i ka ruajtur lidhjet dhe referencat me kulturën, historinë dhe gjeografinë tonë. Ai nuk mund t’i shkëpuste këto lidhje, sepse përherë ka qenë një mbrojtës i të shenjtës gjuhë, nëpërmjet së cilës, siç thotë Hajdegeri, arrijmë deri te qenia. Nëpërmjet gjuhës e njohim anën e padukshme të jetës, ekzistencës, botës. Poeti, nëpërmjet gjuhës së poezisë i zbulon shumë të panjohura të qenies dhe jetës.
Isuf Sherifi shkruan edhe për ankthin ekzistencial në shoqëritë postmoderne dhe postindustriale. Në poezinë e tij flitet për tjetërsimin dhe shpërfytyrimin e njeriut që jeton në një botë të paqme së jashtmi, por me prishje ekuilibrash në planin e brendshëm, atë shpirtëror.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Në pushime me fëmijën, në kohë shkolle: Kjo mund t`i kushtojë 1000 euro kosovares Ligji për Arsimin, në Bavari, thotë: “Kushdo që nuk siguron që të miturit në moshën e...
-
TECH FORUM 2025, Cyrih: Kosova dhe shqiptarët, një “superfuqi” e TI-së
-
Katër shqiptarë akuzohen për mashtrim kibernetik, dëmi: Mbi një miliard euro
-
Dr. Kaltrina Zahiti: Për një trajtim më të përgjegjshëm të syve
-
Gjermani: Arrestohet mërgimtari në trenin Euro-City, kishte dokumente false
Jeta në Austri
-
Tradita e pushimeve: Ku do të shkojnë austriakët në verën e 2025? Pavarësisht rritjes së kostove, pushimet mbeten një prioritet për austriakët në verën e 2025, edhe pse...
-
Austri: Buxheti i ri sjell rritje të ndjeshme tarifash për qytetarët
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri