Kosova

Prokuroria bastis shtëpinë e Shkëlzen Gashit, hetohet për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka bastisur shtëpinë e Shkëlzen Gashit me arsyetimin se ka kryer veprën “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Veprimi vjen pas ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila pasqyroi informata të pasakta mbi masakrat në Kosovë dhe e cila ishte e bazuar në librin, autor i së cilit është Shkëlzen Gashi.

“Sipas provave materiale dhe raportimeve të publikuara në media nga ana e të dëmtuarve në masakrën e Dubravës, dhe masakrat tjera të ndodhura në Kosovë, e po ashtu edhe nga raportimet e qytetarëve, të cilët kanë qenë të dëmtuar dhe viktima të këtyre masakrave, Prokuroria Speciale ka hapur rast penal ndaj të dyshuarit Shkëlzen Gashi, i cili me veprimet e tij publike dyshohet se ka shkaktuar përçarje dhe mos durim me qytetarët tanë dhe duke dëmtuar dhe ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë, e që konsiderohet se me këto veprime i dyshuari ka përmbushur elementet e veprën penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mos durimit’ nga neni 141 të KPK-së”, thuhet në autorizimin e Prokurorit të Shtetit, transmeton albinfo.ch.

Në autorizim thuhet se Gashi do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit  “duke sqaruar veprimet e tij, dhe nga i ka siguruar burimet e informatave të cilat edhe i ka publikuar e të cilat duket të jenë të pavërteta”

Foto FB: Rron Gjinovci