Kosova

Profesori zviceran i sportit: Sharri është një parajsë për “Ski xhitë” (Foto)

Ronny Michael thotë se është mrekulluar me kushtet që bjeshkët e Sharrit ofrojnë për Ski xhitë. “Kemi skijuar secilën ditë dhe ishte shumë më mirë se sa kemi pritur”

Ronny Michael është një mësues sporti nga Zvicra dhe që nga mosha 15 vjeçare ka pasur dëshirë që të shkojë në Shqipëri për të provuar erërat e këtij vendi për një sport shumë specifik: Ski me xhitë (Kite skiing). Për shumë vite kjo kisjte mbetur vetëm dëshirë e tij deri më 2020, kur ai së bashku me dy miq të vet erdhi në Ballkan për të provuar Ski xhitë në Sharr.

Në një intervistë për albinfo.ch ai thotë se ka kërkuar informacione për bjeshkët e Ballkanit në internet dhe ka gjetur bjeshkët e Sharrit, të cilat për të janë sikur barriera veri jug e Zvicrës, me kushte të mira të borës dhe erës.

“Ne jemi të interesuar gjithmonë për vende të reja pasi ato janë shumë më interesante. Aterruam në Shkup dhe provuam dy plato atje, por nuk kishte borë. Pastaj shkuam në veriperëndim të bjeshkëve të Sharrit, afër fshatit Kuk. Bjeshka nuk është shumë e pjerrët, gjë që është mirë pasi ne u ngjitëm me fuqinë e erës”, tregon Ronny.

E njeh regjionin nga rrëfimet e nxënësve të tij shqiptarë në Zvicër

Sa u përket pritjeve të tij për rajonin, ai edhe pa e vizituar kishte mjaft njohuri. Si arsimtar sporti në Zvicër ai njihte shumë nxënës nga rajoni, me të cilët ka biseduar për vendin dhe njerëzit. “Pak a shumë i dija të gjitha përveç bjeshkës dhe minave. Ata më thanë se tashmë me mina nuk ka probleme. Kështu, ne mundëm të kënaqemi me bjeshkë të bukura, njerëz të mirë dhe ushqim të shijshëm”.

Ndërsa kur është fjala për kushtet që ofrojnë bjeshkët e Sharrit për Ski xhitë Ronny thotë se ai ishte plotësisht i mrekulluar.

“Më mirë se që kishim pritur”

“Kushtet janë shumë të mira për ski xhitë dhe ka kushte të mira të borës. Kemi skijuar secilën ditë dhe ishte shumë më mirë se sa kemi pritur”. I pyetur se çka mund të bëhet në rajon që të priten më shumë mysafirë, Ronny thotë: “Ju e keni detin për Surf me xhitë dhe bjeshkët në Kosovë, Maqedoni Veriore dhe Shqipëri. Të gjitha këto janë shumë afër. Në pranverë mund të bësh të dyja”. “Ajo që na ka pëlqyer është se vendet ishin shumë afër njeri tjetrit. Ngisje makinën pastaj drejt në ski.

Po të kishim një skidoo, mundësitë do të ishin pa fund. Do të mund të arrije vende më shpejtë dhe siguria do ishte më e mirë, kjo do ishte shumë interesante për skitarë nga e tërë bota”. “Nëse dikush ofron dijeni të mirë për bjeshkët, borën dhe erërat dhe do të ketë një skidoo, ky destinacion do të ishte shumë interesant për skitarët me xhitë. Ne kemi parë edhe shumë pjesë të tjera që janë interesante. Me çmimet e jetesës në Kosovë dhe fluturimet e shumta, do të ishte një destinacion i dëshiruar”, ka thënë Ronny Michael, duke lënë porosinë. “Ne do të vijmë sërish”.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch