Lajme

Procesi i riatdhesimi, drejt dështimit

Qindra familje të kthyera nga shtetet e Evropës nuk kanë kulm mbi kokë. Fondi prej 3.4 milionësh që ishin alokuar vitin e kaluar pikërisht për riintegrimin e personave të riatdhesuar, nuk është shpenzuar as 10 për qind.

Duke parë se vitin e kaluar ishin shpenzuar shumë pak para nga ky fond, sivjet Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë më të vogël për 200 mijë euro.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë afërsisht 4 mijë persona që janë kthyer me apo pa dëshirën e tyre nga fillimi i vitit 2011, deri në tremujorin e parë të këtij viti, shkruan Zëri.

Kryetarët e komunave akuzojnë MPB-në për problemet që po kanë në riintegrimin e personave të riatdhesuar. Sipas tyre, zyrtarët e ministrisë po i zvarrisin shumë procedurat.

“Vitin e kaluar kemi pasur më shumë persona të kthyer, por edhe këtë vit ka të tillë në komunën tonë. Po mundohemi t’i ndihmojmë me gjëra ushqimore, me veshmbathje, por problemi kryesor është te banimi i atyre që nuk e kanë të rregulluar këtë çështje”, ka theksuar Kryetari i Pejës, Ali Berisha.

Sipas tij, në shumë raste, komuna me para të saj paguan qira për këta persona, edhe pse është përgjegjësi e MPB-së.

Kryetar i Lipjanit, Shukri Buja, ka theksuar se që komisioni për shqyrtimin e kërkesave të komunarëve, në MPB mblidhet vetëm njëherë në muaj dhe kjo po i vonon përgjigjet ndaj tyre.

Deputetja e “Vetëvendsojes”, Alma Lama, duke u thirrur në një studim që ka bërë së fundi UNICEF-i, i cili është fokusuar te fëmijët e riatdhesuar nga Gjermania dhe Austria, ka deklaruar se situata që po jetojnë këta fëmijë është alarmante dhe traumatike.

“Shteti i Kosovës megjithëse ka ndarë një fond, deri tani nuk iu ka ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve dhe familjeve të cilat i përkasin më së shumti komunitetit rom”, ka thënë Lama.

“Asnjë cent nuk është shpenzuar për kurse të mësimit të gjuhës ose në trajnimin e mësuesve në aspektin psikologjik që t’i trajtojnë këta fëmijë. Ndërkohë që Ministrja e Integrimeve gjatë gjithë kohës ka raportuar në komisionin për integrime, dhe për publikun se ka përparim në shfrytëzimin e fondit për të riatdhesuarit, se komunat kanë shënuar sukses etj. E vërteta sipas këtij raporti është krejt ndryshe, i cili tregon se i tërë fondi prej 3.4 milion i vitit 2011 është shfrytëzuar vetëm 9.3 për qind”, ka deklaruar ajo.

Nga ana tjetër, Izmi Zeka, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se buxheti i këtij viti prej rreth 3.2 milionë euro ka nisur të shfrytëzohet me një dinamikë të shpejtë dhe se ka shumë gjasa që në rivlerësimin e buxhetit të Kosovës, të ketë nevojë për të shtuar mjete për këtë kategori.

Riintegrimi i personave të riatdhesuar është një nga kushtet kryesore që duhet të plotësojë shteti i Kosovës për liberalizimin e vizave me shtetet e Bashkimit Evropian./zëri&albinfo/