Lajme

Problemet që kërkojnë zgjidhje në diasporë

Ekonomistë, biznesmenë, politikanë dhe aktivistë të diasporës kosovare nga të gjitha qytetet e Zvicrës kanë ardhur të shtunën në Bernë për të ndjekur punimet e tryezës së organizuar nga Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim – IMD dhe Solidra Suisse, që kishte në fokus temën “Të drejtat politike dhe investimet e diasporës në Kosovë”.

Pjesëmarrësit në këtë tryezë diskutimi tregojnë për problemet që kanë mërgimtarët në raport me vendin e prejardhjes, ndërsa kanë dhënë edhe shumë ide dhe rekomandime për ndryshimin e kësaj gjendjeje.

Në tryezë të pranishmit janë pajtuar se institucionet e Kosovës po bëjnë pak për qytetarët e tyre që kanë emigruar në Zvicër.

Ndërsa organizatorët i kanë vlerësuar si të rëndësishme diskutimet për identifikimin e problemeve të diasporës, duke thënë se propozimet që do të dalin në Bernë do të hyjnë në punë për zhvillimin e projekteve dhe politikave konkrete në diasporë dhe për diasporën.

“Është hapi i parë konkret për identifikimin e problemeve reale, me të cilat ballafaqohet diaspora kosovare në Zvicër. Rekomandimet nga grupet punuese në diasporë do të diskutohen edhe nga grupet punuese gjatë korrikut në Prishtinë”, tha kryesuesi i projektit “Diaspora për Zhvillim”, Elbasan Morina.

Jo vetëm kaq, grupet punuese nga tryeza në Bernë dhe në Prishtinë do të shërbejnë për krijimin e komitetit drejtues të projektit “Diaspora për Zhvillim”

“Komiteti në fjalë do të shërbejë si mekanizëm përcjellës dhe monitorues për realizimin e projekteve diasporë-Kosovë. Të gjitha pritet të zbatohen për fazën kryesore të projektit 2013-2016”, ka bërë të ditur Morina.

Hilmi Gashi, pjesëmarrës në tryezë, tha se analizat që po bëhen sot janë të mira, por është shprehur skeptik se realizimin i tyre do të ndodhë.

“Nëse edhe me këtë nismë nuk e bëjmë një hap përpara duke ndryshuar gjërat, atëherë zhgënjimi i diasporës do të shtohet. Problemi nuk mund t’i adresohet vetëm organizimit të diasporës, por fatin e nismave të tilla e vendosin apo e fundosin institucionet kyçe në Kosovë”, ka thënë Hilmi Gashi.

Edhe ndërmjetësuesi kulturor në kantonin e Argau, Mirash Hajdaraj, ka mirëpritur analizën që po i bëhet pozitës aktuale të diasporës kosovare në Zvicër, por ka argumentuar që përfaqësimi i drejtë i diasporës në institucionet e Kosovës është opsioni më i mirë njëherë për njëherë.

“Problemet janë të shumta në diasporë, por një nismë e tillë është pozitive në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve. Nga ana tjetër, interesi i diasporës është që të ndryshojë për të mirë këtë gjendje. Përfaqësimi i drejtë i diasporës do të jetë nëpërmjet institucioneve të Kosovës. Sido që të jetë, takimet e tilla kanë karakter shkencor, duke treguar gjendjen si është dhe çka mund të bëhet”, ka thënë Mirash Hajdaraj.

Po për të drejtat politike të diasporës panelistët janë pajtuar që ka nevojë për më shumë dialog e gatishmëri politike në Kosovë për implementimin e çfarëdo projekti në diasporë dhe për diasporën.

Kosova është kritikuar edhe nga grupi punues që ka diskutuar për investimet.

Pjesëmarrësit dhanë vërejtje se disa prej dukurive negative, si korrupsioni dhe mangësia e sigurisë ligjore, ende nuk janë zhdukur dhe të njëjtat e bëjnë një ambient të pafavorshëm për të zhvilluar biznes në Kosovë.

Biznesmeni Rexhep Berisha nga Baseli tha se mbi të gjitha mungesa e infrastrukturës së nevojshme ligjore pengon investitorët t’ia mësyjnë Kosovës.

Ai tha ta ketë më lehtë të importojë produkte nga Kosova në Zvicër sesa anasjelltas.

Për ekonomistin Mujë Shala, tryeza të tilla në formë të workshopve janë të mirëseradhura, ngase i mungojnë diasporës prej ku edhe dalin ide dhe forma të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe diasporës kosovare në Zvicër.

“Hallka është shkëputur kur Kosova e ka lanë anash diasporën. Tash është koha e fundit ku institucionet e Kosovës duhet të promovojnë më shumë dhe të lehtësojnë edhe ambientin juridik dhe fiskal. Jo të krijohen edhe privilegje të pabazuara, por ato t’i shërbejnë edhe Kosovës, edhe diasporës. Problemet kryesore, politikat fiskale dhe mbrojtja ligjore, janë të pafavorshme, pavarësisht se a vijnë nga diaspora apo nga investitorët e huaj”, tha Shala.

Në njëjtën kohë janë dhënë edhe rekomandimet e përbashkëta për të përmirësuar klimën e investimeve në Kosovë, por është thënë se duhet të ketë organizim më të mirë të diasporës.

Megjithatë, Christoph Baumann nga Solidar Suisse & IMD është ndarë i kënaqur me pjesëmarrësit në grupin punues, të cilët kanë punuar gjatë ditës së shtunë në Bernë për të identifikuar problemet që po pengojnë investimet e diasporës në Kosovë.

Ai prezantoi gjetjet që dolën nga grupi punues për investime rreth mundësive që i ka Kosova për të tërhequr investime nga diaspora.

“Janë dhënë shumë ide reale nga profesionistë që do të ndihmonin në rritjen e investimeve në Kosovë”, ka thënë Christoph Baumann.

Gjatë ditës së diel do të diskutohet për problemet dhe do të ofrohen zgjidhje për temën që ka të bëjë me martesat e detyruara dhe mangësitë në sistemin shëndetësor në Kosovë.