Lajme

Prezantohet projekti “Diaspora për Zhvillim”

Synimet e projektit janë që të krijojë ura komunikimi ndërmjet diasporës dhe Kosovës

Sot, në Prishtinë bëhet përurimi i projektit “Diaspora per Zhvillim” (Diaspora for Development). Projekti është financuar nga DEZA (Drejtoria për ndihmë dhe bashkëpunim e Zvicrës) Bartës i projektit është OJQ „Institute for Management and Development” me seli në Prishtinë.

Ndërsa organizata Solidar Suisse me seli në Cyrih ka një mandat këshillëdhënës për këtë projekt, të cilin e ushtrojnë Barbara Burri dhe Christoph Baumann.

Në përurimin e projektit që bëhet sot, diskutohet për mundësitë e bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm qeveritarë, shoqërinë civile, bizneset etj. na njoftojnë udhëheqësi i projektit, Elbasan Morina dhe këshilltarja, Barbara Burri.

Në një prononcim për albinfo.ch, Elbasan Morina shprehet i kënaqur me atë që është arritur në ngritjen e këtij projekti të ri.

“Projekti ka filluar më 1 janar 2012. Me gjithë kohën e shkurtër, janë arritur rezultate konkrete si përzgjedhja dhe bashkëpunimi me tri komunat pilot pastaj janë elaboruar projekte konkrete dhe disa janë në proces të realizimit si: shkolla verore për fëmijët e diasporës, kampi i futbollit për të rinjtë e talentuar me yjet e futbollit në diasporë etj. Më tutje, është bërë vendosja e kontakteve me Diasporën ne Zvicër dhe Gjermani, identifikimi i partnereve në Zvicër dhe Gjermani gjithashtu dhe në Kosovë, etj.”, numëron Morina të arriturat e projektit “Diaspora for development”.

Ndërsa, shton ai, në proces është edhe ngritja e platformës elektronike të Diasporës per Zhvillim, e cila do të shërbejë si platforme informuese për Diasporën dhe Kosovën. “Ajo do të lidhet me Zyrat Komunale të Diasporës që po themelohen, pastaj edhe me Albinfo.ch dhe mediumet e ndyshme për shkëmbimin sa më adekuat të informacionit”.

Po ashtu, thotë Morina, gjatë kësaj kohe është bërë edhe hulumtimi i praktikave më të mira në rajon, që të na shërbejnë si shembuj model për projektin “Diaspora për Zhvillim” në fazën kryesore.

Synimet e projektit për të ardhmen, sipas Elbasan Morinës janë që të krijojë ura komunikimi ndërmjet diasporës dhe Kosovës, të forcojë marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve në Kosovë, shoqërisë civile, sektorit të biznesit etj me Diasporën dhe anasjelltas. Më tutje, të krijojë zyrat e Diasporës në nivel komunal me qëllim ofrimiin e shërbimeve sa më cilësore për diasporën.

Krijimi i mekanizmave për transferimin e njohurive dhe eksperiencës nga diaspora tek vendorët, ka rëndësi të madhe për një zhvillim social dhe ekonomik të vendit, thotë Elbasan Morina. Me këtë, krijohen mundësitë që diaspora te japë kontributin e saj jo vetëm financiar por edhe të bëhet “thithja e trurit” nga diaspora në sektorët ku ka mungesë në Kosovë.

Ndër synimet eprojektit është edhe identifikimi i mundësisë së përfaqësimit të diasporës në Kosovë, ofrimi i ndihmës për perfshirjen e Diasporës në procesin e politikë-bërjes dhe vendimmarrjes në vend, përfundon Morina.