Lajme
Pretendimet e pareshtura për Traktat Paqeje të Hajredin Kuçit janë të pakuptimta*
Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, njëherësh ministër i Drejtësisë së kësaj qeverie, që nga rikthimi i tij në pozitën prej nga doli për pro forma të mbrojtjes së lirisë së gazetarëve në shprehjen e lirë të mendimit, krahas aktivizimeve që i pati në raste të vështira si këto të fundit, pas ndërhyrjes brutale të policisë ndaj demonstruesve që protestonin kundër bisedimeve pa kushte dhe pa platformë të kryeministrit Thaçi me kryeministrin serb Daçiq, alfa dhe omega të paraqitjeve të tij ka Traktatin e Paqes me Serbinë!
Sikur Republika e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i saj ta shpallnin gjendjen me Serbinë si gjendje lufte ose ta shpallnin pjesën e veriut të Kosovës si pjesë të pushtuar nga Serbia dhe këtë vendim ta miratonte edhe kryetarja e vendit dhe njëkohësisht të autorizohej ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës që këtë qëndrim ta paraqiste në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, atëherë do të kishte kuptim që procesi i bisedimeve me Serbinë të përfundonte me një marrëveshje të quajtur, qoftë edhe për hir të Hajredin Kuçit, Traktati i Paqes Serbi – Kosovë. Por, siç e dimë të gjithë, mes Kosovës dhe Serbisë nga ana e Kosovës nuk ka gjendje lufte, po ashtu Kuvendi i Kosovës në vend se të miratojë një rezolutë që sanksionon pushtimin e veriut të Kosovës nga Serbia, miratoi rezolutë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me gjithë faktin se në Kushtetutën e Serbisë Kosova konsiderohet pjesë përbërëse e saj!
Është shumë e qartë se integrimi i pjesës veriore në funksionimin normal të shtetit të Republikës së Kosovës është i vështirë. Është po ashtu e qartë se as ndonjë qeveri tjetër e Kosovës, e lëre më qeveria aktuale, e cila jo vetëm se nuk dëshmon aftësinë e duhur, por as edhe vullnetin, si pasojë e involvimeve të saj të mundshme në alleshverishet tregtare që bëhen në këtë zonë, nuk do të mund të mbërrinte shumë sukses në integrimin e serbëve të veriut të Kosovës në funksionimin normal të shtetit të Republikës së Kosovës. Po ashtu pretendimet se me masa dhune, siç pretendon lideri i Vetëvendsojes, apo me masa joshëse, siç pretendonte lideri i AAK-së, do të mund të integroheshin serbët e veriut në funksionimin normal të shtetit të Republikës së Kosovës janë sa të rrezikshme, aq edhe iluzore. Të rrezikshme, sepse, siç vërtetoi korriku i vitit të shkuar, në veri të Kosovës nuk operojnë vetëm elementet kriminale, siç jemi mësuar të dëgjojmë nga paraqitjet e zyrtarëve tanë qeveritarë, por trupat speciale, pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë elite serbe dhe çdo ndërhyrje me forcë, për shkak të gjendjes de jure në veri, do të cilësohej si ndërhyje e policisë ndaj pjesëtarëve të një minoriteti dhe me këtë do të mund të dënohej ndërkombätarisht, me çka pozita jonë diplomatike do të përkeqësohej edhe më. Iluzore dhe e rrezikshme, sepse aty ku mungon vullneti, edhe ndihma e pranuar merret për t’u kthyer kundër bamirësit. Prandaj këtu mund të ndihmojë vetëm një pozicionim i qartë i faktorit ndërkombëtar, i përcjellë me një politikë sa të mençur, aq edhe konsekuente të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në këtë dialog sigurisht se serbët e veriut nuk do të mbesin pa e avancuar pozitën e tyre politike, por do të ishte dëm i madh sikur ky avancim i pozitës së tyre të mos përcillej edhe me avancimin paralel të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Vetëm kështu ky dialog do të mund të konsiderohej në mos i fituar, deri diku i barabartë.
Duke pasur parasysh kërkesat e qarta të Bashkimit Evropian për ndërprerjen e funsionimit të strukturave serbe në veri të Kosovës, del se rezoluta e Kuvendit të Kosovës, e inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, jo vetëm se nuk preku thelbin e çështjes, të cilën me gjithë kujdesin diplomatik po e thekson edhe vetë BE-ja, por e bëri më se të pakuptimtë hartimin e një Traktati Paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, sepse rezoluta e miratuar është në të vërtetë më pak se një memorandum, do me thënë nuk është as notë proteste e Republikës së Kosovës ndaj veprimeve të Serbisë në një pjesë legjitime (të paktën ndërkombëtarisht!) të saj. Miratimi i rezolutës pa miratimin e një – për të mos e quajtur patjetër për çështje tingëllimi notë proteste – memorandumi të Republikës së Kosovës ndaj Serbisë e ka zhvlerësuar diplomatikisht dhe juridikisht edhe Traktatin e Paqes së menduar nga Hajredin Kuçi.
Dhe, si profesor universitar i shkencave juridike që është, ai këtë hierarki vendimesh do të duhej ta njihte gjithsesi mirë!
* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste Një 46-vjeçar nga rrethi Ried im Innkreis është paditur për shkelje të ligjit të ndalimit. Gjatë... -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë











