Kosova

Presidentja e Kosovës pret që Kurti të prezantojë një draft të Asociacionit

Për takimin në Bruksel, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se pret nga kryeministri i Kosovës të prezantojë një draft të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të hartuar nga Qeveria e Kosovës.

Osmani shton se nuk mund të diskutohet një draft i hartuar nga deputetët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pritjet e mia si presidente janë që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj, sepse nuk guxojmë të lejojmë që drafti i të ashtuquajturit Ekipi menaxhues, që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave, pra ta kemi draftin tonë që është në bazë të Kushtetutës”, përcjell albinfo.ch.

Osmani tutje është shprehur se nga ky takim të dalë edhe dakordimi për Deklaratën e përbashkët për të pagjeturit, duke kërkuar edhe hapjen e arkivave të Serbisë.

“Çështja e të zhdukurve me dhunë është pika e parë e agjendës nga ajo që është prezantuar nga ana e ndërmjetësve të Bashkimit Evropian. Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e dialogut me Serbinë, sepse do ta detyrojë Serbinë që t’i hapë arkivat, aty ku gjenden edhe arkivat e qindra mijëra të luftës së fundit në Kosovë. Natyrisht kemi shumë dyshime në atë se çfarë do të zbatojë Serbia, megjithatë shpresojmë që pas nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët, nëse nuk bllokohet nga ana e Serbisë, do të përfundojë sot”, tha presidentja e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Para takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë një telefonatë nga Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Ky i fundit pas bisedës thotë se u diskutua për takimin dhe për rëndësinë e zbatimit të aneksit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu edhe marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përcjell albinfo.ch.