Kosova

Presidenti i Këshillit Evropian sot në Prishtinë

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, sot do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ku do të ketë takime me krerët e shtetit, përcjell albinfo.ch.

Ai do të takohet me presidenten Osmani në orën 16:30 dhe pas takimit do të mbajnë konferencë të përbashkët.

Në një agjendë të publikuar më herët nuk ishte paralajmëruar një takim i Costas me Kurtin, mirëpo kjo u konfirmua sot.

Takimi mes tyre do të nisë në orën 18:40.

Costa në Kosovë vjen pas vizitës në Beograd, ditën e djeshme.

Ai atje ia tha qartë Vuçiqit se dënimi i qartë i pushtimit rus të Ukrainës dhe dialogu me Kosovën janë kyç për integrimin e mëtejshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kjo është pjesë e një vizite disaditore në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Costa do të shkojë edhe në Sarajevë e Podgoricë, ndërsa më 15 maj do të vizitojë Shkupin dhe Tiranën, ku më 16 maj do të mbahet Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane.