Presidenca e Kosovës ende nuk e ka pranuar Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa Kuvendi mund t’ia përcjellë atë presidentes vetëm pas përfundimit të afatit tetëditor për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, i cili përfundon më 15 tetor.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.
Sipas tij, procedura parasheh që Kuvendi t’ia dërgojë ligjin presidentes vetëm pasi të mbyllet afati për kontestim në Gjykatën Kushtetuese.
“Presidenca nuk e ka pranuar ende Ligjin për Dhomat e Specializuara. Sipas procedurës, Kuvendi e dërgon te Presidentja vetëm pas mbylljes së afatit 8-ditor për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, deri më 15 tetor. Pastaj Presidentja Shiroka Pula i ka në dispozicion 8 ditë për të ndërmarrë veprime”, ka deklaruar Kupina.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Pas përfundimit të afatit për kontestim dhe pranimit të ligjit, presidentja do të ketë tetë ditë në dispozicion për të ndërmarrë veprimet e përcaktuara me procedurën përkatëse.