Kosova i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës rikthimin e dialogut strategjik dhe mbështetjen për anëtarësimin e vendit në NATO. Kërkesat u paraqitën gjatë takimeve të udhëheqësve institucionalë me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët qëndruan të hënën për vizitë në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Presidentja Justina Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e rifillimit të dialogut strategjik, duke e cilësuar atë si një instrument të rëndësishëm për thellimin e partneritetit me Uashingtonin dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Sipas njoftimit të Presidencës, Shiroka-Pula ka ritheksuar se anëtarësimi në NATO mbetet një nga synimet kryesore të Republikës së Kosovës.
Kurti kërkon mbështetje për NATO-n dhe për Bondsteel-in
Edhe kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga senatorët amerikanë përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ai ka ngritur gjithashtu çështjen e shndërrimit të bazës ushtarake amerikane Bondsteel në një bazë të përhershme.
Në një reagim në Facebook, Kurti ka vlerësuar se paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por ka shprehur shqetësim për veprimet dhe deklaratat e Serbisë, të cilat i ka cilësuar si kërcënuese.
Ai ka përmendur edhe raportet ndërmjet ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Milan Radoiçiqit, të cilin autoritetet e Kosovës e lidhin me sulmin e armatosur në Banjskë.
Dialogu strategjik u pezullua në shtator të vitit 2025
Shtetet e Bashkuara e pezulluan dialogun strategjik me Kosovën më 12 shtator 2025. Në atë kohë, Ambasada amerikane në Prishtinë bëri të ditur se vendimi lidhej me shqetësimet për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe që funksiononin në Kosovë.
Sipas ambasadës, këto veprime kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar mundësitë e bashkëpunimit produktiv ndërmjet dy vendeve për çështjet me interes të përbashkët.
Rikthimi i dialogut strategjik do të ishte një hap i rëndësishëm për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit, ndërsa mbështetja amerikane mbetet me rëndësi për synimin e Kosovës për t’u integruar në strukturat euroatlantike.
/Albinfo.ch