Rreth 26 mijë e 900 franga zvicerane janë gjetur gjatë kontrollit të një veture në Vërmicë, në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Rasti është iniciuar nga Policia e Kosovës si dyshim për shpëlarje parash, transmeton albinfo.ch.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur të hënën, rreth orës 21:15, kur zyrtarët policorë, gjatë patrullimit, kanë hasur në dy automjete, njëra me targa të Kosovës dhe tjetra me targa të Shqipërisë.
Automjetet drejtoheshin nga dy persona, përkatësisht një shtetas i Kosovës dhe një shtetas i Shqipërisë.
Gjatë kontrollit të veturës me targa vendore, policia ka gjetur shumën prej 26 mijë e 900 frangash zvicerane. Të dy personat janë shoqëruar në stacionin policor, ku do të zhvillohen procedurat e mëtejshme.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me prejardhjen e parave apo rrethanat e rastit. Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat në të cilat shuma është transportuar. /Albinfo.ch