Skip to content

Ramë Lahaj në Cyrih mes bashkatdhetarëve: Krenar për secilin prej jush!

Tenori kosovar mbajti më 10 tetor koncertin “PASSION & ORIGIN” në Cyrih, ku u mblodhën shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, përfshirë profesionistë nga fusha të ndryshme.

Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, ka ndarë emocionet pas koncertit të mbajtur më 10 tetor në Cyrih, ku u prit nga shumë bashkatdhetarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Përmes një mesazhi të publikuar pas koncertit, Lahaj ka shprehur krenarinë për komunitetin shqiptar, duke vlerësuar arritjet e bashkatdhetarëve në shkencë, mjekësi, politikë, afarizëm, edukim, gastronomi dhe fusha të tjera.

“Ne zemër të Cyrihut, i rrethuem me dashni e atdhedashni!”, ka shkruar tenori, duke e cilësuar praninë dhe mbështetjen e publikut shqiptar si një pjesë të veçantë të këtij rrugëtimi artistik.

Lahaj ka theksuar gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së kulturës, gjuhës dhe këngës shqipe, pavarësisht vendit ku jetojnë shqiptarët.

“Do të udhëtojmë në çdo cep të botës ku ka shqiptarë, sepse kulturën, gjuhën e këngën që na mbajnë gjallë, nuk do t’i harrojmë kurrë”, ka shkruar ai.

Turneu i tij do të vazhdojë edhe në qytete të tjera. Gjatë këtij viti, Lahaj pritet të takohet me publikun shqiptar në Düsseldorf, Vjenë dhe Toronto, ndërsa datat e koncerteve për vitin e ardhshëm ka paralajmëruar t’i bëjë të ditura në janar.

Në fund të mesazhit, tenori ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e turneut, me një mirënjohje të veçantë për sponsorët./Albinfo.ch