Zhvillimi i shpejtë i turizmit në Shqipëri dhe mundësitë për ta orientuar këtë sektor drejt një të ardhmeje të qëndrueshme do të jenë në qendër të një paneli diskutimi që do të mbahet në Universitetin e St. Gallenit, në Zvicër, transmeton albinfo.ch.
Aktiviteti organizohet nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë (ASA-HSG) në këtë universitet.
Në panel do të marrin pjesë ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ermal Dredha, profesori i turizmit dhe zëvendësdrejtori i IMP-HSG në Universitetin e St. Gallenit, Prof. Dr. Pietro Beritelli, si dhe drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj.
Diskutimin do ta moderojë Rinor Abazi, kryetar i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Universitetin e St. Gallenit.
Paneli synon të trajtojë rritjen e sektorit të turizmit në Shqipëri, sfidat që shoqërojnë këtë zhvillim dhe mundësitë për të ndërtuar një model turistik të qëndrueshëm.
Aktiviteti do të mbahet më 20 tetor 2026, nga ora 18:30 deri në 20:00, në sallën 01-013 të Universitetit të St. Gallenit. Hyrja do të jetë falas, por kërkohet regjistrim paraprak, pasi numri i vendeve është i kufizuar.
Të interesuarit mund të regjistrohen përmes formularit online.
Në përfundim të panelit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në një diskutim të hapur me pyetje dhe përgjigje, si dhe në një apero.
Organizatorët ftojnë studentët, profesionistët, përfaqësuesit e biznesit dhe të gjithë të interesuarit që t’i bashkohen këtij aktiviteti kushtuar së ardhmes së turizmit shqiptar./Albinfo.ch