Bashkatdhetarët që jetojnë jashtë Kosovës kanë një mundësi shtesë për t’u kyçur në platformën eKosova. Përmes metodës TOTP, përdoruesit mund të hyjnë në llogaritë e tyre pa pasur nevojë për numër telefoni të operatorëve mobilë të Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike e ka prezantuar këtë mundësi si një lehtësim të veçantë për diasporën, duke theksuar se ajo ofron më shumë siguri dhe fleksibilitet gjatë kyçjes.
TOTP është një metodë verifikimi që përdor kode njëpërdorimëshe, të vlefshme për një kohë të kufizuar. Pas aktivizimit, përdoruesi e merr kodin nga një aplikacion autentifikimi dhe e vendos gjatë hyrjes në llogari.
Kjo alternativë u shërben veçanërisht bashkatdhetarëve që përdorin numra të huaj dhe nuk kanë numër aktiv të Kosovës.
Për mënyrën e aktivizimit, platforma eKosova ka publikuar një video udhëzuese, të cilën e ka shpërndarë edhe ministria. Përdoruesit mund të ndjekin hapat e paraqitur në të për ta konfiguruar këtë mënyrë kyçjeje. /Albinfo.ch