Skip to content

Shqipëria drejt BE-së, Marta Kos flet për mbylljen e kapitullit të 20-të

BE-ja shënon përparim në zgjerim: Mali i Zi mbyll tre kapituj, Shqipëria pritet të mbyllë të 20-in

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka njoftuar për hapa të rinj në procesin e integrimit evropian të Malit të Zi, Shqipërisë, Ukrainës dhe Moldavisë. Ajo ka theksuar edhe rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së demokracisë në BE, përcjell albinfo.ch.

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian po shënon përparime të reja, me zhvillime në negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.

Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë të ditur përmes një deklarate në platformën X se Mali i Zi ka mbyllur edhe tre kapituj negociues. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet që Shqipëria të mbyllë kapitullin e 20-të, ndërsa Ukraina dhe Moldavia të hapin nga dy grupkapituj negociues.

Kos ka theksuar se zgjerimi i Unionit duhet të shoqërohet edhe me masa që garantojnë funksionimin e tij më të fortë dhe më efektiv, në kushtet kur numri i anëtarëve mund të rritet.

Sipas saj, Komisioni Evropian ka propozuar mekanizma më të fuqishëm mbrojtës për sundimin e ligjit, si dhe reforma që synojnë rritjen e efektivitetit të institucioneve të BE-së.

Në deklaratën e saj, Kos ka njoftuar gjithashtu se vendet kandidate do të mirëpriten në Qendrën Evropiane për Reziliencën Demokratike.

Ajo ka vënë në dukje se shumë prej këtyre vendeve janë përballur prej vitesh me kërcënime hibride dhe se përvoja e tyre mund të kontribuojë në mbrojtjen e demokracisë në nivel evropian.

“Përvoja e tyre mund të na ndihmojë ta mbrojmë demokracinë në të gjithë Evropën”, ka theksuar Kos./Albinfo.ch