Gruaja

Prej një vajze refugjate kosovare, në yll të futbollit

Kosovarja Fatmire Bajramaj do ta pranojë çmimin “Topi i artë” bashkë me Lionel Messin, duke parakaluar në tepihun e kuq. Kjo është e arritura më e madhe në karrierën e saj me vetëm 22 vjeç, shkruan gazeta zvicerane ”Tagesanzeiger”.

Përveç yjeve të njohura,  si Lionel Messi, Andrés Iniesta dhe Xavi, “FIFA” ka nominuar edhe futbollisten kosovare, Fatmire Bajramaj, për çmimin e  futbollistes më të mirë të vitit 2010, në një gala ceremoni që do të mbahet më 10 janar në Cyrih, shkruan “TagesAzeiger”.

Mesfushorja Baramaj është nominuar së bashku me gjermanen Birgit Prinz dhe brazilianen Marta, që në shtatë vjetët e fundit kanë marrë çmimet e para të FIFA-s, por që sipas “Tagesanzeiger” e meritojnë me shumë se një shikim, ndërsa historia e jetës se kosovares është më e mrekullueshme se të gjitha kandidatet e tjera të propozuara për “Topin e artë”.

“Jam krenare që do ta përfaqësoj njëherësh vendlindjen time, Kosovën”, thotë me këtë rast ajo për mediat kosovare.

Fatmire Bajramaj ka lindur në Istog të Kosovës. Babai i saj refuzoi në vitin 1990 të bashkëpunonte me sistemin e atëhershëm serb dhe kështu humbi vendin e punës. Tre vjet me vonë mori një thirrje nga policia serbe, ku edhe është  detyruar të largohet nga vendlindja. Me kursimet e fundit dhe paratë e huazuara nga të afërmit, familja Bajramaj siguroi pesë vende në një autobus, i cili transportonte ilegalisht njerëz për në vendet perëndimore, duke filluar prej Maqedonisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke deri në Gjermani.

Babai im donte që unë të mësoj balet

Babai i Fatmires është i punësuar si punëtor i ndërtimtarisë në Gjermani. Fatmiren të gjithë e quajnë Lira. Ajo kishte filluar fshehurazi të luajë në fushat e futbollit. “Babai im donte që unë të mësoj të vallëzoj balet, duke më thënë se futbolli është vetëm për meshkuj”, thotë ajo.

Me mbështetjen e nënës së saj ajo u bashkua me ekipin e femrave FSC Mönchengladbach. Më vonë kaloi si sulmuese në ekipin e të rinjve VfL Gelsenkirchen.Më në fund kishte dalë në shesh sekreti i saj. Ajo ka rrëfyer se si një ditë ishte nisur për në lojë të fshehtë futbolli, por që ishte përcjellë nga  babai i saj, i cili ishte bindur për të parë ndeshjet e futbollit ku luante a bija e tij. “Që atëherë ai është tifozi im më i madh”, tha Lira.

Për yllin e futbollit, Fatmire Bajramaj, ishte botuar një libër që ishte titulluar “Qëllimi im në jetë “. Në këtë libër ajo ka rrëfyer për rrugën e gjatë deri te fama.“Opinioni duhet ta dijë se sa e vështirë është për fëmijët refugjatë për t’u integruar. Vetëm sporti më ka ndihmuar për të gjetur miq. Me librin unë dua të inkurajoj të rinjtë emigrantë të ndjekin shembullin tim”, tha Bajramaj.

Bajramaj famën e vërtetë e kishte arritur në një shou televiziv sportiv të televizionit gjerman ZDF,  më 2009, kur me këpucë takash të larta kishte shënuar gol. Futbollistet femra nuk duhet të kenë flokë të shkurtra, por as këmbët e trasha, ka thëne Lira Bajramaj.

Nëse i referohemi pamjes atraktive të femrës futbolliste, Lira thotë se në radhë të parë duhet të fitojë vendin e parë, por gjithashtu edhe të duket mirë. Pavarësisht se është emancipuar, religjioni ka zënë një vend të përhershëm në zemren e saj.“Para se të shkoj në gjumë, para se të ngas makinen dhe para lojrave të futbollit, unë gjithnjë falem“, ka thënë Bajramaj. Megjithatë, ajo thotë se nuk mban mbulesë, shminkohet me dëshirë dhe shkon nëpër mbrëmje. Ajo thotë se asnjëherë të mos ketë ngrënë mish derri, por muajin e ramazanit nuk e agjëron.

Përveç angazhimit të madh në fushën e futbollit, ajo ishte përfaqësuese e Fondit për Fëmijë „World Vision“, ku ka marrë përsipër përkujdesjen e një fëmije.Në emër të Ministrisë Federale të Punës dhe Çështjeve Sociale ajo është emëruar ambasadore evropiane e vitit në luftën kundër varfërisë dhe varfërisë së skajshme.

Bajramaj me vetëm 22 vjet ka arritur shumçka në karrierën e saj. Ndër të tjera është shpallur kampione e botës me Gjermaninë (2007), ka fituar medaljen e bronztë në Olimpiadën “Pekini 2008”, kurse në vitin 2010, për çka ka marrë edhe vlerësimin e parë nga FIFA, është shpallur kampione e Evropës me Përfaqësuesen e Gjermanisë.

Me klubin Turbine Potsdam ka fituar Ligën e Kampionëve dhe titullin e Gjermanisë. Mesfushorja ka shumë suksese edhe me klubin e mëparshëm Duisburg dhe me grupmoshat e reja të Gjermanisë.