Nga data 1 korrik, praktikat që shkaktojnë dhimbje te kafshët do të duhet të deklarohen qartë në paketimin e produkteve ushqimore. Këshilli Federal zviceran ka miratuar një seri urdhrash të reja për etiketimin e mishit, vezëve dhe foie gras-it, me qëllim rritjen e transparencës për konsumatorët.
Në supermarketet zvicerane, mishi i kalit, lepurit apo qengjit është pothuajse gjithmonë me origjinë të huaj. Në deklaratën e qeverisë theksohet se konsumatorët do të kenë mundësinë të informohen nëse produktet që blejnë janë prodhuar përmes metodave që përfshijnë praktika të dhimbshme për kafshët, si për shembull pa anestezi.
Çfarë përfshihen si praktika të dhimbshme?
Shembuj të tillë janë kastrimi ose heqja e brirëve te gjedhët pa anestezi, prerja e bishtit, e dhëmbëve apo kastrimi te derrat gjithashtu pa anestezi, si dhe prerja e këmbëve të bretkosave pa përdorur qetësues. Edhe mëlçia dhe mishi i rosës apo i patës së majmur do të duhet të etiketohet si i tillë. Kjo metodë prodhimi ka qenë e ndaluar në Zvicër për më shumë se 40 vjet, por importet nga jashtë janë ende të lejuara. Masa është pjesë e kundërpropozimit të Këshillit Federal ndaj një nisme popullore që synon ndalimin e plotë të importit të foie gras-it nga zogj të dhunuar, transmeton qlbinfo.ch.
Të gjitha subjektet që ofrojnë këto produkte, duke përfshirë restorantet, dyqanet e vogla dhe marketet, do të kenë detyrimin të kontrollojnë vetë nëse i nënshtrohen këtij rregulli deklarimi. Sipas Këshillit Federal, kjo rritje e transparencës i lejon konsumatorët të bëjnë zgjedhje të informuara. Parashikohet një periudhë kalimtare prej dy vjetësh për zbatimin e plotë të rregullores.
Edhe lëkurat e kafshëve nën rregulla të reja
Nga 1 korrik ndalohet gjithashtu importi i lëkurave dhe produkteve prej tyre që vijnë nga kafshë të trajtuara në mënyrë mizore. Dyqanet e specializuara, butiqet e modës dhe shitësit online do të duhet të deklarojnë mënyrën e prodhimit të artikujve dhe të ofrojnë prova që origjina përputhet me kërkesat ligjore.
Sot deklarimi i detyrueshëm i produkteve të lëkurës kërkon vetëm informacion mbi llojin e kafshës, burimin dhe vendin e origjinës. Por, sipas autoriteteve, industria e lëkurës dhe tregtarët me pakicë nuk i përmbahen mjaftueshëm këtyre kërkesave: vetëm në vitin 2023, në rreth 60 % të kontrolleve u konstatuan parregullsi. Produktet e ndaluara do të tërhiqen nga tregu dhe shkelësit do të ndëshkohen.
Nisma për ndalimin e lëkurës u refuzua
Në të njëjtën kohë, Këshilli Federal i ka dërguar Parlamentit një mesazh zyrtar lidhur me nismën popullore “Për ndalimin e importit të produkteve të lëkurës nga kafshë të keqtrajtuara”. Qeveria e refuzon tekstin e propozuar nga Aleanca Zvicerane për Kafshët, megjithëse e mirëkupton synimin e tij. Si alternativë, Këshilli Federal propozon një kundërpropozim indirekt që do të ndalojë importin, tranzitin dhe tregtinë e produkteve të lëkurës të prodhuara përmes metodave mizore, duke e përfshirë këtë ndalim në Ligjin Federal për Mbrojtjen e Kafshëve.