Lajme

Policia në “gjah” kundër dasmorëve të armatosur

Vetëm brenda një javë policia ka konfiskuar 31 armë pa leje që janë përfshirë gjatë ahengjeve familjare

Gjuajtja me armë zjarri nëpër dasma e ahengje ka qenë traditë e vjetër e shqiptarëve, e cila jo gjithmonë ka përfunduar me gëzim. Ka pasur shumë raste kur nga konsumimi i madh i alkoolit, gjuajtjet me armë ia kanë ndërruar kahen gëzimit, duke e rikthyer në tragjedi.

Që të mos ndodhë e tragjedia, Policia e Kosovës ka marrë një fushatë për arrestimin e të gjithë atyre personave që shtinë me armë zjarri nëpër dasma e ahengje. Vetëm gjatë javës së kaluar policia ka regjistruar shumë raste të arrestimit dhe konfiskimeve të armëve që dyshohet se janë përdorur në mënyrë të kundërligjshme gjatë ahengjeve.

Sipas një kumtese për media, vetëm brenda një javë policia ka regjistruar 31 raste të armëmbajtjeve pa leje duke përfshirë këtu rastet e përdorimit të armëve në ahengje të ndryshme familjare, ndërsa është raportuar për një person të plagosur gjatë të shtënave në dasmë.

Disa vite më parë shqiptarët nëpër ahengje kryesisht kanë shtënë me çifte, mauzerë e revole, ndërsa së fundi është “standard” kallshnikovi dhe amët tjera automatike. “Një rast i tillë është regjistruar në Podujevë, ku policia nga i dyshuari që ka shtënë gjatë një ahengu familjar ka konfiskuar një pushkë gjysmë automatike 7.62 mm”, raporton policia.

Policia e Kosovës apelon te qytetarët dhe kërkon nga ata që t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre dhe sigurisë së të tjerëve.

“Nëse qytetarët nuk kursehen nga veprimet e tilla të kundërligjshme, policia konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që të fillojë kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndalojë kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Policia, siç thuhet me këtë rast, është e vendosur në luftimin e kësaj dukurie dhe gjatë javës së fundit ka regjistruar 31 raste të armëmbajtjeve pa leje duke përfshirë këtu edhe rastet e përdorimit të armëve të zjarrit në ahengje të ndryshme familjare.