Lajme

Policia Gjyqësore në Gjenevë në krizë, mungesë personeli dhe kushte të rënda pune

Policia Gjyqësore e Gjenevës (PJ), një nga strukturat më të rëndësishme të rendit në Zvicër për hetimin e krimeve të rënda, ndodhet përballë një krize të thellë organizative, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Në një memo të brendshme të dërguar këtë të mërkurë drejtuesve të policisë dhe autoriteteve kantonale, krerët e brigadave hetimore kanë ngritur alarmin për mungesën e personelit dhe kushtet e papërshtatshme të punës, që sipas tyre po pengojnë seriozisht përmbushjen e misioneve themelore.

Sipas memo-s, Policia Gjyqësore ka 35 oficerë më pak sesa kërkohet për funksionimin normal, ndërsa mungesat në punë janë dyfishuar, duke arritur në 6 për qind. Kjo mungesë burimesh po ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e hetimeve për çështje të ndjeshme si trafikimi i drogës, krimi kibernetik dhe dhuna seksuale.

“Ka raste kur nuk kemi patrulla që mund të shkojnë në vendngjarje ose nuk jemi në gjendje të pranojmë një viktimë sulmi seksual menjëherë”, deklaroi Frédéric Mulmann, president i Sindikatës së Policisë Gjyqësore, për televizionin publik RTS, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Kushtet e vështira nuk lidhen vetëm me mungesën e stafit. Sipas dokumentit të brendshëm, edhe mënyra e organizimit të Policisë që prej reformës së vitit 2015 ka kontribuar në përkeqësimin e situatës. Kjo reformë, e udhëhequr nga ish-këshilltari Pierre Maudet, e hoqi pavarësinë e PJ-së në rekrutimin e stafit të ri, duke e varur nga transferimet e xhandarmërisë – e cila gjithashtu përballet me mungesë kronike të personelit.

Oficerët ankohen gjithashtu për shpërndarjen e detyrave pa planifikim dhe për përfshirjen në ngjarje anësore, si sigurimi i aktiviteteve sportive, që largojnë vëmendjen nga hetimet.

Komandantja e Policisë së Gjenevës, Monica Bonfanti, ka konfirmuar se është në dijeni të vështirësive dhe se tashmë janë ndërmarrë disa masa korrigjuese, pa dhënë shumë detaje, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Sindikata e Policisë Gjyqësore kërkon masa urgjente, përfshirë rikthimin e rekrutimit të drejtpërdrejtë për PJ-në; riorganizimin e strukturave dhe prioriteteve; ricaktimin e njësive për të ulur ngarkesën e tepërt.

Nëse nuk merren masa konkrete, sindikata paralajmëron se do t’i drejtohet Këshillit të Madh të Kantonit të Gjenevës, duke e ngritur çështjen në nivel politik.

Situata në Policinë Gjyqësore po shihet si një kërcënim serioz për sigurinë publike, në një kohë kur rritja e kriminalitetit kërkon forca të përgatitura dhe në kapacitet të plotë, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.