Kosova

Policia e Kosovës ndihmon “Ibër Lepencin” të rimarrë objektin që dyshohet se shfrytëzohej nga strukturat paralele

Policia e Kosovës ka ofruar asistencë për zyrtarët e ndërmarrjes publike Ibër-Lepenci në veri të vendit, për të hyrë në një objekt pranë liqenit të Ujmanit, që dyshohet se përdorej si institucion paralel i Serbisë, transmeton albinfo.ch.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se operacioni që është zhvilluar të martën, ka ndodhur pa incidente.

“Po, i kemi asistuar zyrtarët e Ibër-Lepencit për të hyrë në një objekt te liqeni i Ujmanit”, ka thënë ai.
Për këtë aksion, ka reaguar drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili ka thënë se do ta informojë komunitetin ndërkombëtar për të. Ai ka thënë se bëhet fjalë për një objekt të Kryqit të Kuq.

“Një numër i madh i policëve hynë në objekt, ku kryen hetime dhe nuk lejuan askënd, as rojën, që t’i shoqërojë gjatë hetimeve, që lë hapësirë për manipulime nga falangat e Kurtit”, ka thënë ai në një komunikatë për media, transmeton albinfo.ch.

Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin në kuadër të sistemit të Serbisë. Janë marrë nën kontroll një ndërtesë që përdoren nga Shërbimi Nacional për Punësim, ambientete e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe disa institucioneve të tjera.

Bashkimi Evropian i ka cilësuar të njëanshme dhe të rrezikshme për përshkallëzim të situatës, veprimet të autoriteteve të Kosovës, transmeton albinfo.ch.