Kosova

Policia e Kosovës konfiskon 91 patentë shoferë brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime apo masa të tjera ligjore në funksion të vendosjes së rregullit në trafik dhe parandalimit të aksidenteve.

“Urdhri operativ “Siguria në Trafikun Rrugor 2023” në vazhdimësi po implementohet nga njësitet policore në teren dhe ka për qëllim uljen e aksidenteve rrugore në përgjithësi. Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara janë realizuar 593 pika kontrolli të automjeteve (PKA). Për të arritur objektivat e përbashkëta për një siguri të qëndrueshme rrugore dhe qarkullim pa pengesa kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht nga drejtuesit (vozitësit) e automjeteve që të shmangin veprimet të cilat ndikojnë në shpërqendrimin e tyre gjatë vozitjes”, thuhet në njoftimin e Policsë.

Sipas Policisë, në përgjithësi vozitjen e automjetit duhet ta përshtatin me gjendjen dhe kushtet në rrugë, shmangien e përdorimit të telefonave mobilë gjatë drejtimit të automjetit, të respektojnë shenjat për kufizimin e shpejtësisë, të mbajnë distancën e duhur në mes të automjeteve gjatë qarkullimit etj.

Në njoftim bëhet e ditur se gjatë 24 orëve Policia e Kosovës ka vendosur 593 pika të kontrollit të automjeteve, ka konfiskuar 91 patentë shoferë dhe ka kryer 69 inspektime nga menaxhmenti policor.