Lajme

Policia e Kosovës arreston nëntë truproje të Vullinit

Të arrestuarit, sipas policisë, po e përcillnin eskortën e Vullinit nëpër Kosovë, pavarësisht se për sigurinë e tij është përkujdesur Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka arrestuar nëntë persona të cilët po e shoqëronin shefin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vullin. Ndërsa këtij të fundit i është dhënë ultimatum që sa më shpejt ta lëshojë Kosovës, sepse ka tejkaluar lejen e qëndrimit në Kosovë që i është lejuar nga autoritetet kosovare.

Arrestimi i nëntë zyrtarëve serbë ka ndodhur menjëherë pas liturgjisë qendrore në manastirin e Graçanicës. Këta zyrtarë, sipas policisë kosovare, në vazhdimësi po e përcillnin eskortën që po e shoqëronte Vullinin nëpër Kosovë, pavarësisht faktit se për sigurinë e tij është përkujdesur Policia e Kosovës.

Mirëpo, gjatë qëndrimit në Graçanicë, policia ka ndaluar 9 persona të cilët janë dërguar për intervistim tek organet e hetuesisë.

Brahim Sadriu është zyrtarë për informim i Policisë së Kosovës. Ai tha se personat e ndaluar kanë qenë të dyshimtë për policinë për atë arsye edhe janë ndaluar.

“Për shkaqe të sigurisë së personalitetit që policia e Kosovës e ka nën përcjellje, të hënën në Graçanicë, me dyshimin e arsyeshëm policia ka shoqëruar në stacion policor 9 persona për legjitimim dhe verifikim. Lidhur me këtë policia ka kontaktuar prokurorin përkatës dhe jemi duke punuar nën autorizimet e tij”, ka thënë Sadriu.

Ndërkaq shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vullini kishte qëndruar gati tri orë në Manastirin e Graçanicës, duke pritur lirimin e shoqëruesve të tij. Mirëpo dikur zyrtarit serb i humbi durimi dhe nga manastiri u nisë në këmbë drejt komisariatit të policisë për të kërkuar lirimin e tij.

Sipas portalit “zëri.info” atij i kishte dalë përpara një eskortë e Policisë së Kosovës e cila i kishte kërkuar, që menjëherë të niset për Serbi sepse ka tejkaluar kohën për të cilën ka marrë leje. Vulin është detyruar t’i hipë veturës dhe të niset drejt Serbisë, duke gjykuar si të padrejtë vendimin e policisë për dëbim.