Kosova
Polici Alban Rashiti dëshmon në gjykatë për sulmin terrorist në Banjskë dhe vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku

Polici i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë, Alban Rashiti, ka dhënë sot një dëshmi të detajuar dhe rrëqethëse para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës për sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, raporton albinfo.ch.
Sipas Rashitit, gjithçka kishte nisur rreth orës 02:10 të mëngjesit, kur ai bashkë me kolegët Çlirim Shaqiri dhe Mirsad Kryeziu ishin duke u kthyer nga patrullimi në drejtim të bazës. Aty, afër urës në hyrje të fshatit Banjskë, ata hasën dy kamionë të rëndë të pozicionuar paralel mbi urë, të cilët e kishin bllokuar rrugën.
“E kemi konsideruar situatën si të dyshimtë, por nuk kemi parë ndonjë lëvizje apo persona të pranishëm”, rrëfeu Rashiti, duke shtuar se përpjekjet për të kontaktuar dhomën komanduese në ato momente ishin të pasuksesshme për shkak të problemeve me lidhjen.
Pas njoftimit të komandës, ekipit iu kërkua të kthehej në vendin e ngjarjes për të vëzhguar më tej. Ata u rikthyen dhe parkimi i veturës u bë 30 metra larg urës, në përpjekje për të gjetur një pozicion më të sigurt. Sipas Rashitit, ndriçimi në zonë ishte jashtë normales, “thuajse i përgatitur”.
Më pas, në vendin e ngjarjes mbërritën dy vetura të tjera të policisë, mes tyre edhe rreshteri Afrim Bunjaku. Polici Rashiti kujton momentin e takimit me të: “U përshëndetëm, u konsultuam dhe u shpërndamë për të marrë pozita të sigurisë. Ishim të vetëdijshëm për rrezikun potencial.”
Por qetësia nuk zgjati shumë. Vetëm pak çaste më vonë ndodhi një shpërthim i fuqishëm.
“Kur kam kthyer kokën, pashë zjarr. Kuptova që isha plagosur në krah. Filluan të shtënat nga të gjitha drejtimet e fshatit, me dhjetëra armë të kalibrave të ndryshëm”, rrëfeu ai. Rashiti, duke u përpjekur të marrë pozicion mbrojtës, vërejti trupin e rreshterit Afrim Bunjaku, i shtrirë, i gjakosur dhe pa shenja jete.
Ai tregoi gjithashtu për përpjekjet për të shpëtuar rreshterin e plagosur. Bashkë me kolegët, u përpoqën të afrojnë veturën, por ajo u godit me armë dhe u bë e palëvizshme. Pasi krijuan errësirë duke shkatërruar dritat e rrugës, ata u përpoqën sërish. Vetëm atëherë Rashiti zbuloi se ishte plagosur, por vendosi të vazhdojë të mbulojë kolegët me zjarr për t’i lejuar të tërheqin trupin e rreshterit.
“Isha i plagosur, por nuk e thashë sepse situata ishte e rëndë. Rreshteri ishte në rrezik dhe duhej vepruar me shpejtësi”, tha Rashiti.
Sipas tij, pasi rreshteri u fut në veturë, kolegët u nisën për ndihmë mjekësore nën të shtëna të vazhdueshme armësh, por arritën të largoheshin nga zona.
Kjo dëshmi përforcon edhe më tej akuzat për organizim terrorist, të drejtuar nga Milan Radojiçiq, dhe i shton peshë hetimeve për sulmin më të rëndë të pasluftës ndaj Policisë së Kosovës. Trupi gjykues pritet ta shqyrtojë këtë provë në kuadër të procesit gjyqësor ndaj tre të pandehurve të pranishëm dhe 42 të tjerëve në arrati, raporton albinfo.ch.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Nikson Gjoka: “Me ‘Fly’ po fluturoj drejt ëndrrës time!” Pas publikimit të këngës së tij të parë “Fly”, model dhe tani edhe artist, Nikson Gjoka...
-
Maqedoni: Gjykata vendos se të gjithë qytetarët, përfshirë edhe mërgatën do të trajtohen si “rezidentë”
-
Artistja nga Kosova fiton çmimin “Aktorja më e Mirë” në Madrid
-
Shqiptarja nga Prishtina finaliste në çmimin global “Cybersecurity Woman of the Year 2025”
-
Kosovari godet me makinë motoçiklistin e rrëzuar dhe thotë: Mendova se ishte kaproll!
Jeta në Austri
-
Austri: Frikë nga turizmi lakuriq nga Zvicra Qyteti i Bregenzit në Austri po përgatitet të zyrtarizojë një zonë për larje nudo në bregun...
-
Austri: Një projekt i ri pilot synon mësimin e gjuhës gjermane fëmijëve migrantë në kopsht
-
Trenat e rinj me dy kate nisin operimin në Austri
-
Raporti: 400 super të pasur zotërojnë 37% të pasurisë financiare të Austrisë
-
Pse po rriten çmimet e transportit në Vjenë dhe për sa?