Lajme

Policë të shumtë kosovarë në operacionin “Sim to Sim”

Më shumë se 140 zyrtarë policorë janë angazhuar në një operacion të gjerë bastisjesh, që ka nisur sot në mëngjes në dhjetëra lokacione në gjithë Kosovën, kundër aktiviteteve të kundërligjshme “Sim to Sim”, që i kanë shkaktuar miliona euro humbje Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës.

Deri rreth mesditës, janë kontrolluar më shumë se 30 lokacione të ndryshme në rajonet Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan dhe Pejë, me ç’rast janë konfiskuar pajisje të ndryshme të teknologjisë informative si dhe gjëra të tjera që dyshohet se janë përdorur për të mundësuar aktivitetin e kundërligjshëm “Sim to Sim”.

Aksioni ka pasuar hetimet disamujore të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka njoftuar Policia e Kosovës, nëpërmes një komunikate shtypi.