E-Diaspora

Poeti Izri Rexha përuron librin “Nata pa hënë” në Linz të Austrisë

Poeti dhe profesori Izri Rexha të shtunën në Linz të Austrisë ka përuruar për herë të parë para publikut librin me poezi “Nata pa hënë”.

Në këtë manifestim kulturor u përurua edhe libri  “Edmond Pointller OSC-e” nga autori austriak dr. Johannes Großruck. Të pranishmit në këtë manifestim i përshëndeti zonja mag. Christina Mack, nëpunëse e Bashkisë së Qytetit . Fjalimin nga kultura dhe integrimi e mbajti konsulli i Republikës së Kosovës, z. Ymer Lladrovci, kurse autorët përshkruan përmbajtjen e veprave të tyre, raporton albinfo.ch.

Dr. Johannes Großruck mbajti një fjalim interesant për nder të gjuhëve evropiane, e veçanërisht sakrificën e Edmont Pointllerit, i cili për shkak të ideve përparimtare në kohën e Luftës së Dytë Botërore e pagoi me kokë.

Për punën e prof. Izri Rexhës foli mag. Wolfgang Untersmayr. Në mesin e mysafirëve ishte edhe poeti nga Sllovenia, mag. Hasan Elshani, i cili recitoi artistikisht një poezi.

Në këtë manifestim ishte i pranishëm ish-kryetari i OSBE-së, Dr. Wolfgang Großruck, i cili foli për rëndësinë e gjuhëve të ndryshme në Evropë, emigrimin dhe integrimin e qytetarëve si dhe prapambeturitë nga mosnjohja e gjuhës në vendin ku jeton.

Nxënësit si dhe autori i librit “Natë pa hënë” recituan poezi nga libri si dhe autori iu dhuroi të gjithë të pranishmëve libra pa pagesë. Në fund të gjithë të pranishmit morën pjesë në koktejin e organizuar për këtë manifestim.

Ky është libri i pestë i profesorit dhe poetit shqiptar Izri Rexha, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Linz të Austrisë.