Lajme

Pije energjike kosovare në Zvicër

Duke u hequr akcizën dhe duke rimburësuar TVSH-në për pijet joalkoolike, institucionet e Kosovës kanë krijuar lehtësi për eksportin e tyre drejt tregjeve të huaja. Doganat e Kosovës duket se e kanë gjetur formulën për të ndihmuar bizneset e vendit, së paku ata të prodhimit të pijeve dhe lëngjeve të ndryshme.

Duke u hequr akcizën dhe duke rimburësuar TVSH-në për pijet joalkoolike, institucionet e Kosovës kanë krijuar lehtësi për eksportin e tyre drejt tregjeve të huaja.

Doganat e Kosovës duket se e kanë gjetur formulën për të ndihmuar bizneset e vendit, së paku ata të prodhimit të pijeve dhe lëngjeve të ndryshme.

Biznesmenët që merren me këtë aktivitet tregojnë për albinfo.ch se Doganat e Kosovës janë ato që kanë filluar t’i stimulojnë në masë të madhe prodhimet e vendit.

Ata thonë se janë dy pika të forta mbi të cilat ata mbështetën nga Doganat e vendit, e që në masë të madhe u ndihmojnë atyre.

E para është mosngarkimi me tarifa të akcizës, kurse e dyta ka të bëjë me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Janë këto dy lehtësi, të cilat kanë bërë që prodhuesit në këtë lëmi jo vetëm të ndjehen më të lehtësuar, por t’u krijojë atyre edhe mundësinë për eksport.

B.B.F Company duket se është një prej këtyre bizneseve që ka arritur mjaft mirë të përdorë këto lehtësi.

Dizajni i prodhimeve të saj është mjaft interesant, e paketimi duket të jetë në nivel. E kur këtyre ua shton edhe cilësinë, atëherë suksesi nuk ka se si të mungojë.

B.B.F Company është një prej firmave të Kosovës, e cila pavarësisht vështirësive, me prodhimet e veta ka arritur të çajë drejt tregut evropian.

Me seli në Ferizaj, ajo ka arritur që prodhimet e veta jo vetëm t’i shtojë, por edhe t’i prodhojë në lloje të ndryshme.

Halil Krasniqi, menaxher në këtë kompani, tregon për albinfo.ch se gjithçka kishte nisur me para borxh dhe tre punëtorë.

“Pajisjet ishin të thjeshta deri në vitin 2002, pastaj fabrika u zgjerua edhe me dhjetë punëtorë”, thotë Krasniqi për albinfo.ch.

Kështu ajo vazhdimisht është rritur dhe aktualisht ka 50 punëtorë, kurse llojet e pijeve që prodhon janë të shumta dhe ndahen kryesisht në pijë freskuese dhe energjike.

Aktualisht pijet më të njohura në tregun kosovar që nga shtatë, të tilla që kjo firmë prodhon, janë “Pit Bull” dhe “La Frutta”, ndërkohë që së voni ka nisur prodhimin edhe të “Pit Bull Premium”.

Sipas menaxherit Krasniqi, B.B.F Company aktualisht ka kapacitete për të mbuluar në tërësi tregon e vendit dhe atë rajonal.

“Brenda ditës kemi kapacitete të prodhojmë deri në 30 mijë litra”, thotë menaxheri i kësaj kompanie.

Duke marrë parasysh se tregu i Kosovës nuk është edhe aq i madh, atëherë eksporti duket se ka qenë zgjidhje e nevojshme për këtë kompani.

Kështu, përveç Maqedonisë dhe Shqipërisë, B.B.F. Company ka nisur të prodhojë eksportojë edhe në Bullgari, Mal të Zi, Zvicër dhe Gjermani.

“Sigurisht se kemi përfaqësues tanë në Zvicër me të cilët bashkëpunojmë mjaft ngushtë”, thotë menaxheri Krasniqi për albinfo.ch, duke potencuar se për këtë shtet Lozana është destinacioni prej nga shpërndahet pastaj sasia e dërguar nga Kosova.

Sa i përket llojit të pijeve që ata dërgojnë më shumë në Zvicër, e ku konsumatorët e saj duket të jenë kryesisht mërgimtarët shqiptarë, del të jetë lëngu “La Frutta” dhe pija energjike “Pit Bull”.

“Brenda muajit drejt Zvicrës nisim ngarkesën prej 24 mijë litrash me këto dy lloje pijesh”, sqaron Halil Krasniqi, duke theksuar se çmimet nuk janë edhe aq të larta.

“Një ‘Pit Bull’ në Kosovë kushton deri 42 cent, ndërkohë që në Zvicër është vetëm 62 cent”, thotë ai, duke sqaruar se ato prodhohen edhe sipas sasive të ndryshme.

Heqjen e akcizës për pijet joalkoolike, Shoqata e Prodhuesve Kosovarë ia kishte kërkuar në qershor të këtij viti ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Në atë kohë ajo kishte premtuar se në afat sa më të shkurtër do ta shqyrtonte këtë kërkesë, pasi Kosova ishte vendi i vetëm në rajon që aplikonte një masë të tillë.

Fakte për BBF Company

BBF Company është themeluar në vitin 1997, me qendër në Ferizaj, Kosovë. Prodhon klasin e parë të pijeve joalkoolike, si: pije të lehta freskuese, lëngje frutash, pije të gazuara, pije energjike, çaj të ftohtë, etj. BBF Company shtrihet në një sipërfaqe prej 30 ari, nga të cilat 20 ari janë sipërfaqe e prodhimeve. Hapësira prodhuese është e rregulluar me standarde evropiane, me teknologjinë e fundit dhe ka një staf prej 50 punëtorëve me moshë mesatare 20-30 vjeçe, të kualifikuar dhe të specializuar në të gjitha departamentet.