Kosova

Peticioni kundër urave të reja mbi Ibër mbledh mbi 3.600 nënshkrime në Mitrovicën e Veriut

Më shumë se 3.600 qytetarë kanë nënshkruar një peticion kundër ndërtimit të dy urave të reja mbi lumin Ibër, një projekt i nisur nga Qeveria e Kosovës në fillim të korrikut, në prani të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Peticioni u organizua nga Lista Serbe, shkruan REL, transmeton albinfo.ch.

Sipas Qeverisë së Kosovës, dy urat, një për këmbësorë dhe tjetra për komunikacion, kanë për qëllim lidhjen infrastrukturore të Mitrovicës së Jugut me atë të Veriut, si pjesë e përpjekjeve për integrim dhe lehtësim të qarkullimit. Projekti kap vlerën e rreth tre milionë eurove dhe përfundimi i tij pritet në vjeshtë.

Megjithatë, Lista Serbe e ka cilësuar ndërtimin si një politikë imponimi, duke theksuar se vendimi është marrë pa konsultim me komunitetin serb lokal. “Populli është kundër imponimit dhe politikës së forcës”, thuhet në deklaratën e partisë, e cila e konsideron këtë projekt si përpjekje për zhdukjen e serbëve nga veriu i Kosovës.

Në ditët në vijim, Lista Serbe ka paralajmëruar se do ta dorëzojë peticionin te përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, përfshirë vendet e Quint-it, KFOR-in, EULEX-in, BE-në, OSBE-në dhe UNMIK-un, duke kërkuar reagim të menjëhershëm dhe ndërprerje të punimeve.

Bashkimi Evropian, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, e ka quajtur ndërtimin e urave me rëndësi praktike dhe politike, duke theksuar se projekte të tilla duhet të zhvillohen me konsultim dhe në harmoni me nevojat e komuniteteve lokale, transmeton albinfo.ch.