Lajme

Përplasja tregtare me SHBA: A janë në rrezik miliardat e fondeve të AHV-së?

Pas vendosjes së tarifave të reja nga SHBA ndaj Zvicrës, po shtrohet pyetja nëse 40 miliardë franga zvicerane të vendosura në një bankë amerikane janë të sigurta.

Një vit më parë, institucioni shtetëror zviceran Compenswiss, i cili menaxhon fondet e sigurimeve shoqërore të shtyllës së parë (AHV/AVS), vendosi të depozitojë rreth 40 miliardë franga zvicerane në bankën amerikane State Street. Vendimi u kritikua nga disa politikanë që paralajmëruan për varësi të tepërt nga SHBA-të.

Tani që mosmarrëveshja tregtare mes SHBA dhe Zvicrës është përshkallëzuar, dhe Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me tarifa deri në 39 për qind, lind një pyetje e re: A mund të përdoren këto fonde si mjet presioni ndaj Zvicrës?

Çfarë thonë ekspertët dhe institucionet?

Sipas drejtorit të investimeve në Raiffeisen, Matthias Geissbühler, një bllokim i fondeve është teorikisht i mundur, por ai e cilëson një skenar të tillë si “i pamundur në praktikë”.

“Për të vendosur sanksione, nevojitet një bazë ligjore. Konflikti tregtar nuk e përmbush këtë kusht sipas së drejtës ndërkombëtare”, – thotë ai për 20 Minuten, transmeton albinfo.ch.Geissbühler thekson se një bankë zvicerane do të ishte më e sigurt nga pikëpamja juridike dhe rregullative, por e pranon që zgjedhja e State Street mund të ketë qenë logjike nga ana financiare:

“Zgjedhja e ofertës më të favorshme në fund përfiton edhe kontribuesit e AHV-së.”

Qëndrimi i Compenswiss dhe State Street

Në një fletë informuese të publikuar këtë pranverë, Compenswiss tha se “ndryshimet e mundshme në administratën amerikane ishin marrë në konsideratë gjatë përzgjedhjes së bankës”. Ata theksojnë gjithashtu se SHBA ka pak interes të sanksionojë një bankë të vetën sistemike, siç është State Street.

Edhe drejtoresha e State Street për Zvicrën, Dagmar Kamber, theksoi se banka është më pak e ekspozuar ndaj rrezikut të sanksioneve sesa një bankë e huaj pa prani në SHBA.

Politikanët të ndarë në qëndrime

Thomas Matter (SVP): Ndërmori një nismë për të rikthyer fondet në Zvicër, e cila u refuzua ngushtë nga Këshilli Kombëtar në pranverë.

“Nëse Trump do të bllokonte fondet vetëm për shkak të tarifave, do të humbiste çdo besueshmëri.”

 

David Roth (SP): Kundërshtoi rikthimin e fondeve. Ai tha se edhe nëse mandati i kthehet një banke zvicerane si UBS, ajo ende ka prezencë në SHBA, dhe se rreziku nuk do të ulej  ndërsa kostot do të rriteshin.

Megjithëse ekspertët e konsiderojnë të pamundur që SHBA të bllokojë fondet e AHV-së, diskutimi vazhdon. Vendimi për të mbajtur paratë në një bankë amerikane sjell përfitime financiare, por edhe një rrezik politik dhe gjeostrategjik që shumë qytetarë dhe politikanë nuk janë të gatshëm ta pranojnë.