Lajme

Përmbytjet në Shkodër, 7 mijë hektarë nën ujë

Shtabi i Emergjencave Civile në Shkodër raporton se 717 shtëpi vijojnë të jenë të izoluara nga uji dhe 28 të tjera të përmbytura. Vazhdon shkarkimi i ujit nga Hidrocentralet e Drinit

Më shumë se shtatë mijë hektarë tokë janë mbuluar me ujë në rajonin e Shkodrës, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe daljes nga shtrati të lumenjve dhe vetë liqenit të Shkodrës. Sipas medieve shqiptare, Qarku i Shkodrës tashmë i ngjanë një liqeni gjigant që ka përfshirë edhe fshatrat përreth.

Shtabi i Emergjencave Civile në Shkodër raporton se 717 shtëpi vijojnë të jenë të izoluara nga uji dhe 28 të tjera të përmbytura. Ndërkohë shkarkimet vijojnë pa ndërprerje, nga Liqeni i Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.

Komuna më e prekur, sipas këtij shtabi, është ajo e Anës së Malit. Në këtë komunë, fshatrat Goricë, Muriqan dhe Obot, prej disa javësh vijojnë të jenë të izoluar.

Si pasojë e përmbytjeve mbeten të bllokuara rrugët, Shkodër- Dajc, Shkodër- Obot dhe Shkodër-Velipojë.

Sipas ekspertëve, situatën në përkeqësimin e gjendjes në Shkodër, kanë ndikuar shkarkimet nga portat e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, duke nisur nga ai i Fierzës e më pas ai i Komanit dhe Vaut të Dejës.

Një ndikim po aq negativ, sipas medieve shqiptare, vazhdon të japë edhe fryrja jashtë kapacitetit të liqenit të Shkodrës, i cili duke mos pasur një rrjedhje normale në Bunë, ka dalë nga shtrati duke përmbytur lagjet periferike të qytetit të Shkodrës, si dhe aksin rrugor Shkodër-Shirokë.

Banorët e këtyre zonave, kërkojnë ndihmë nga strukturat e specializuara për normalizimin e situatës. Shqetësimet e banorëve kanë qenë për bazën ushqimore të bagëtive të izoluara, sepse mungesa e ushqimit po e rrezikon mbijetesën e tyre.