Lajme

Përleshen protestuesit dhe policia, lëndohen dy gazetarë

Dy gazetarë të lënduar, disa protestuese dhe policë po ashtu të lënduar është bilanci I protestave të sotme e punëtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) para Kuvendit, të përkrahur nga deputetët e Vetëvendosje.

Policia ka përdorur gazin lotsjellës për të ndal protestuesit të cilët kundërshtojnë privatizimin e PTK-së. Dy gazetarët e lënduar –  Saranda Rama e KTV-së dhe Arton Mulliqi i RTV 21 janë bartur në QKUK, ku janë në trajtim mjekësor pas lëndimeve të mara gjatë përleshjes midis protestuesve dhe policisë.

Punëtorët e PTK-së, të organizuar nga Sindikata e saj, po tentojnë të hynë në ndërtesën e Kuvendit për të kundërshtuar shitjen e kësaj kompani më profitabile publike, pas votimit të buxhetit nga deputetët e Kuvendit.

Protesta po vazhdon, ndërsa ndërtesën e Kuvendit po mbrohet nga Njësia Speciale e Policisë dhe karabinierët italianë.

Deri më tani, sipas raportimeve të mediave, janë arrestuar disa protestues, ndërsa drejtuese të Sindikatës po kërcënohen se do të radikalizojë veprimet, nëse nuk hiqet nga Ligji për buxhetin privatizimi i PTK-së.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka pranuar të takojë një delegacion të sindikalistëve të PTK-së, të udhëhequr nga Milazim Alshiqi.

“Protestuesit kanë hedhur shishe me ujë drejt zyrtarëve policorë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Arbën Beka.