Kosova

Përfundon numërimi i votave nga diaspora

Pas përfundimit të numërimit të votave nga jashtë vendit, në QNR ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve, sipas urdhrit të PZAP

Të hënën rreth mesnatës është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.

Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë, transmeton albinfo.ch.

Pas përfundimit të numërimit të votave nga jashtë vendit, në QNR ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve, sipas urdhrit të PZAP.

Vendvotimet të cilat do të rinumërohen i takojnë komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut, Kamenicë  dhe Podujevë.

Në vazhdim të aktiviteteve të planifikuara, gjatë ditës së sotme në QNR do të fillohet me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime speciale në 38 komuna, ndërsa votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar jashtë vendvotimeve, përmes ekipeve mobile gjatë ditës së zgjedhjeve.