Lajme

Përfundojnë studimet mjedisore për gazsjellësin Trans-Adriatik

Kostoja totale e projektit arrin vlerën 1.5 miliardë euro, kurse gjatësia që do të kalojë nga Shqipëria është 209 kilometra

Financuesit e projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik u kanë dorëzuar autoriteteve shqiptare raportin mjedisor të zonave, ku do të kalojë tubacioni dhe impaktin social që do të këtë gazsjellësi. Në mënyrë të veçantë i është kushtuar vëmendje shmangies së habitateve natyrale të ndjeshme, si: Parku Kombëtarë i Hotovës dhe lugina e lumit të Vjosës.

Gazsjellësi Trans Adriatik Pipeline (TAP) është një tubacion brenda Korridorit Jugor, i cili sjell gaz nga burime të reja në zonën e Detit Kaspik drejt Evropës Perendimore dhe Juglindore. Tubacioni prej 520 km do të lidhë rrjetet ekzistuese të gazit në Greqi, do të kalojë nëpër Shqipëri dhe përfundon në brigjet e Italisë Jugore, duke lejuar gazin që të rrjedhë drejtpërdrejt nga Kaspiku drejt tregjeve evropiane.

Parashikohet se gazsjellësi do të depërtoj në Shqipëri nga Greqia në Miras të rajonit të Korçës. Pjesa shqiptare shtrihet në një gjatësi të përgjithshme prej 209 km deri në bregdet, në veri-perëndim të Fierit, kurse pjesa detare, e cila kalon përmes detit Adriatik do të jetë 60 km e gjatë.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë një takimi disa kohë më parë me përfaqësuesit kryesorë të firmave pjesëmarrëse, të kryesuar nga drejtori ekzekutiv i kompanisë Statoil, Kjetil Tungland e cilësoi këtë projekt si të mjaft të rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike dhe politike, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Ndërsa, menaxheri i Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social, Kai Schmidt Soltau theksoi se gazsjellësi Trans-Adriatik ka krijuar mjaft besim në Shqipëri. “Duke përfshirë aktivisht qeverinë dhe komunitetet vendore në procesin e përzgjedhjes së gjurmës që nga fillimi i projektit, gazsjellësi Trans Adriatik ka qenë në gjendje të fitojë shumë mbështetje dhe të krijojë besim në Shqipëri. Që prej fazave të para, të gjitha palët e interesuara kanë pasur mundësinë që të diskutojnë shqetësimet e tyre me ne”, u shpreh Soltau.

Nga ana tjetër, Drejtor i Shëndetit, Sigurisë dhe Mjedisit i gazsjëllësit Trans-Adriatik, Martin Ferguson deklaroi se në këtë projekt janë përfshirë të gjithë palët e interesuara dhe kjo praktikë ka pasur mjaft sukses. “Ky proçes përbën një shembull shumë të mirë për kompanitë e tjera ndërkombëtare të cilat kanë si synim të hapin biznese në Shqipëri. Duke komunikuar dhe duke përfshirë të gjitha palët e interesuara dhe duke u siguruar se ne i jemi përmbajtur praktikave më të mira ndërkombëtare në çdo fazë, gazsjellësi Trans Adriatik ka pasur shumë sukses”, pohoi Martin Ferguson.

Projekti Trans-Adriatik është një prej investimeve të huaja më të rëndësishme në Shqipëri dhe do të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës energjetike duke nxitur kështu rritjen ekonomike, duke krijuar vende pune dhe duke zhvilluar aftësitë vendore. Gjithashtu, gazsjellësi do të ndihmoj Shqipërinë për të përmbushur nevojat e saj për energji, duke sjellë gaz nga deti Kaspik në tregun shqiptar dhe duke ofruar një nxitje për infrastruktura të ardhshme gazi në vend.

Aksionerët e këtij projekti janë: Kompania zvicerane EGL (42.5%), kompania norvegjeze (42.5%) dhe kompania gjermane E.ON Ruhrgas (15%). Kostoja totale e tij arrin vlerën 15, miliardë euro dhe parashikohet të ketë një kapacitet prej 10 deri në 20 miliardë metër kub në vit.

Liridon Cecja