Lajme
Përdhosja e varrezës hebraike, akt qyqar
E para që ka reaguar ndaj aktit vandal në varrezat e hebrenjve, ka qenë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë

Përdhosja e varreve në varrezën e hebrenjve në lagjen “Velania” të Prishtinës, ku janë vënë mbishkrime dhe simbole naziste, ka nxitur reagime nga institucionet e Kosovës dhe nga ato ndërkombëtare.
Policia është njoftuar në lidhje me ngjarjen, por nuk ka identifikuar ende të dyshuarit.
E para që ka reaguar ndaj aktit vandal në varrezat e hebrenjve, ka qenë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, duke e dënuar fuqishëm atë.
“Kjo vepër e urrejtjes përbën fyerje jo vetëm ndaj familjeve të të varrosurve aty dhe ndaj komunitetit hebraik në Kosovë e përtej, por po ashtu është fyerje ndaj shtetit dhe shoqërisë shumetnike kosovare. Kjo është një vepër e përbuzjes së normave më themelore të tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit dhe nuk mund të tolerohet”, thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Me tone të ashpra kundër përdhosjes së varrezave hebraike ka reaguar edhe kongresisti amerikan, Eliot Engel, që është edhe bashkë-kryetar i Grupit të Kongresit për çështjet shqiptare. Në një deklaratë për media, kongresisti Engel i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndëshkojë autorët e aktit në formën më të rëndë që parashikon ligji.
Sulmin në fjalë, sekretari i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael, Lekë Rezniqi, e ka quajtur të papranueshëm.
Reagime rreth përdhosjes së varreve hebrenje kanë ardhur edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
“Dëmtimi i varrezave paraqet një akt në kundërshtim të plotë me traditat dhe vlerat e popullit të Kosovës, të mbështetura në tolerancë dhe respekt të plotë për të gjithë të vdekurit dhe të gjitha monumentet”, thuhet në reagimin e presidentes.
Në deklaratën e kryeministrit Thaçi thuhet se “ky sulm qyqar është një sulm kundër shtetit të Kosovës dhe, mbi të gjitha, është një sulm kundër vlerave të traditës së qytetarëve të Kosovës për tolerancë, bashkëjetesë dhe respekt, që i kemi kultivuar gjatë gjithë historisë sonë”, ka thënë Thaçi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri kanë strehuar dhe mbrojtur hebrenj. Në mesin e tyre është edhe familja Rezniqi në Kosovë, anëtarë të së cilës sot jetojnë në Prishtinë. Kjo familje njihet për rolin që ka luajtur lidhur me mbrojtjen e hebrenjve nga regjimi nazist dhe për këtë ka marrë mirënjohje edhe nga shteti izraelit.
E-Diaspora
-
Kur gjendja dukej e pashpresë, mjekja gjermane shpëton vajzën nga Kosova Për shkak të diagnozës së saj me leukemi, një vajzë 14-vjeçare nga Kosova vjen në Gjermani...
-
Foto
Festa shqiptare në zemër të Cyrihut, sot është dita e dytë e Alba Festivalit
-
Ndryshime në votimin nga diaspora, fletëvotimet do t’u dërgohen me postë votuesve
-
Kosovarja fsheh pasurinë prej 350,000 frangash për të marrë ulje të primeve
-
Mijëra shqiptarë “pushtuan” rrugët e Nju Jorkut në paradën kuqezi
Jeta në Austri
-
Rënie e ndjeshme në ribashkimin familjar të refugjatëve në Austri Procesi i ribashkimit familjar për refugjatët në Austri është ngadalësuar ndjeshëm, madje edhe para ndalimit formal...
-
Austri: 11 të lënduar në aksidentin e rëndë me autobus në A1
-
95.8% e liqeneve dhe lumenjve të Austrisë janë vlerësuar si të “shkëlqyeshëm”
-
Ku në Evropë janë pikat më të pastra dhe më të pista të notit?
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen?