Lajme

Perandoria turke, 28 kryeministra shqiptarë

Ministri i jashtëm Davutoglu tha se në Perandorinë Osmane ka pasur 28 sadrezamë (kryeministra) dhe 36 vezirë (ministra) me origjinë shqiptare.

Shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutoglu pranoi se Perandoria Osmane gjatë periudhës së saj të sundimit, ka pasur 28 kryeministra dhe dhjetëra ministra me origjinë shqiptare, ndërsa edhe autori i himnit turk, Mehmet Akifi dhe autori i fjalorit të parë turk, Sami Frashëri ishin po ashtu shqiptarë.

Këto deklarata ministri turk i Punëve të Jashtme, Davutogllu i ka bërë në një intervistë për revistën “Shenja”, ku ai foli për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërinë duke i konsideruar shumë të mira.

“Populli shqiptar ka dhënë kontribute shumë të rëndësishme në jetën administrative, kulturore dhe sociale turko-osmane. Në historinë tonë të përbashkët kanë lënë gjurmë qeveritarë, ushtarakë, njerëz të letrave, intelektualë dhe artistë shumë të vyer me origjinë shqiptare”, tha Davutoglu.

Në Perandorinë Osmane, sipas tij, ka pasur 28 sadrezamë (kryeministra) dhe 36 vezirë (ministra) me origjinë shqiptare.

“Mehmet Akifi, autori i himnit tonë kombëtar, si dhe Sami Frashëri, autori i fjalorit të parë turk, që në të njëjtën kohë konsiderohet një nga njerëzit më të shquar të letrave në Shqipëri, janë të dy me origjinë shqiptare”, tha shefi i diplomacisë turke, Davutoglu, raporton “Shekulli”.

Ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë, sipas tij, ekziston një miqësi e fuqishme, rrënjët e të cilës shtrihen në thellësitë e historisë e përbashkët.

“Kjo lidhje midis popujve tanë na jep edhe përgjegjësinë për ta zhvilluar në çdo fushë solidaritetin dhe bashkëpunimin midis Turqisë dhe Shqipërisë. Marrëdhëniet tona dypalëshe po zhvillohen në çdo fushë duke nisur nga fusha politike, ekonomike, ushtarake, kulturore dhe ajo arsimore, në përshtatje me miqësinë historike dhe unitetin kulturor midis popujve tanë”, tha Davutoglu.

Ministri i jashtëm turk po ashtu foli edhe për shtrirjen ekonomike të Turqisë në Ballkan, duke mos e konsideruar këtë si ndenje strategji të veçantë e Ankarasë, por si vetëm si çështje e zhvillimit ekonomik.

“Zhvillimi i fuqisë ekonomike dhe politike të Turqisë, e cila është dhe ekonomia e gjashtëmbëdhjetë më e madhe e botës dhe ekonomia e gjashtë më e madhe e Evropës, po i rrit aftësitë e saj globale dhe po i mundëson vendit tonë që t’i shpjerë përpara marrëdhëniet e saj me të gjithë botën. Prandaj, veprimtaria në rritje e Turqisë nuk është një zhvillim specifik vetëm për Ballkanin”, thotë ai.

Ministri i Jashtëm turk nga ana tjetër pranon se Ballkani për Ankaranë është një rajon primar, për shkak të lidhjeve të ngushta gjeografike, historike dhe kulturore.