Lajme

Për të vdekurit, nuk preferohet autopsia

Nga 1200 persona sa kanë ndërruar jetë në QKUK, vetëm 12 të vdekurve iu është bërë autopsia. Në Kosove familjarët nuk preferojnë t’u bëhet autopsia të afërmve të tyre

Brenda vitit të kaluar në Kosovë kanë vdekur rreth 7200 persona, ndërsa vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, kanë ndërruar jetë 1200 persona. Mirëpo nga ky numër, vetëm 12 të vdekurve u është kryer autopsia. Kjo statistikë tregon, se në Kosovë nuk preferojnë t’u bëhet autopsia familjarëve të tyre.

Statistikat demografike tregojnë se nataliteti në Kosovë vazhdon të jetë dukshëm më i lartë se sa mortalitetit. Gjatë vitit të kaluar kanë lindur mesatarisht 27.600 foshnje, ndërsa vdesin mesatarisht 7200 person. Mosha mesatare e jetëgjatësisë është 76.7 vjeç, bëjnë të ditur përfaqësuesit e e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Ramadan Sopa, ushtrues detyre i drejtorit në Institutin e Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se çdo vit po shënon rënie trendi i të kryerit autopsi.

“Numri i trupave që u kryhet autopsia është i vogël. Janë rrethanat ligjore që kanë ndikuar në rënien e kërkesës për autopsi. Në ligj ceket se duhet të pyeten familjarët. Familjarët gjithmonë hezitojnë për autopsi pavarësisht situatës, janë rrethana të mentalitetit, është çështje sentimentale, derisa nuk e kuptojnë që autopsia është metodë diagnostike që ndihmon të diagnostikohet sëmundja nëse nuk është zbuluar deri para vdekjes”, thot aë

Ndërkaq, Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, thotë për REL se në mungesë autopsie për të vdekurit, mbulohen edhe gabimet e mjekëve.

“Është një rënie shumë e madhe e numrit të të vdekurve që u bëhet autopsia, dhe kjo na dërgon deri te mosdija se pse ka vdekur pacienti. Ne nuk i dimë shkaktarët e vdekjes së rreth 1200 personave vetëm vitin e kaluar. Normalisht ka mund të jetë vdekje natyrale, por edhe gabime të mjekëve që ne nuk i dimë”, shprehet ai.

Pacientët e kanë pyetësorin që duhet nënshkruar një marrëveshje, që pas vdekjes lejon që trupi i tyre t’i nënshtrohet autopsisë, por kjo, sipas tij, rrallë herë përcjellet nëpër klinika..

Ndryshe, autopsia është një metodë teknike mjekësore, shkencore dhe deontologjike, për verifikimin, analizën, studimin dhe dokumentimin e dëmtimeve morfologjike që shkaktojnë sëmundjet e ndryshme dhe për të përcaktuar shkakun e vdekjes së pacientit.

Zëdhënësi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, thekson se rasteve të dyshimta të vdekjeve u kryhet autopsia.

“Për rastet gjyqësore, me të cilat merren organet e drejtësisë si raste të dyshimta, autopsia kryhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore e që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”, thekson Fazliu.