Lajme

Për sanksionet ruse, reagon Tirana

Ndalimin e importit të produkteve shqiptare në Rusi, Tirana zyrtare e konsideroi të padrejtë, ndërsa për të zhbllokuar gjendjen, një zyrtar i qeverisë shqiptar shkon në Moskë

Ministri shqiptar i Bujqësisë, Edmond Panariti reagoi të enjten kundër embargos që i ka vënë Federata Ruse produkteve të Shqipërisë. Ai ndalimin e importit të produkteve bujqësore shqiptare në Rusi, e konsideroi të padrejtë ndërsa për të zhbllokuar situatën, qeveria shqiptare do ta dërgoj një zyrtarë në Moskë.

Panariti e cilësoi si një spekulim që ndodhi me certifikatat e produkteve, për të cilin tha se, është një certifikim që ndodh jashtë Shqipërisë, duke shkuar shumë produkte shqiptare se sa mund të nxjerrë Shqipëri për shitje,

“Ne i kemi lajmëruar autoritetet ruse duke iu thënë se sasia e shtuar e ka origjinën gjetkë dhe rezultoi se ishte falsifikim që ndodhte në një vend të tretë dhe i vendosej etiketë një produkti që nuk ishte shqiptar. Edhe prodhuesit e dëmtuar shqiptarë kanë hapur padi penale për shkak të dëmit që kanë pësuar”, deklaroi Panariti.

Qëndrimi zyrtar o Tiranës, sipas tij, është se veprimi i palës ruse është i pajustifikuar, pasi nga Shqipëria nuk ekziston mosrespektim i rregullave ndaj Federatës Ruse.

“Së shpejti do dërgojmë përfaqësuesit tanë të cilët do të shkojnë në Rusi për të bërë sqarime dhe për të zhbllokuar këtë situatë, e cila e penalizon Shqipërinë në mënyrë të padrejtë”, u shpreh ministri i Bujqësisë, Panariti citon NOA.

Ai tha se ky nuk është një fenomen shqiptar, pasi falsifikimi është bërë nga dikush tjetër në emër të Shqipërisë. Gjithashtu Panariti shtoi se për të rritur parametrat e sigurisë është ndërruar certifikata e produkteve shqiptare.

Ndryshe, një ditë më parë, Federata Ruse ka marrë vendim që ta ndalojë importin e perimeve nga Shqipëria. Vendimi është marrë nga Agjencia Federale për Bujqësinë në Moskë dhe do të hyjë në fuqi më 8 dhjetor.

Sipas autoriteteve ruse, këto produkte janë prodhime të BE-së dhe shiten në Rusi si “Made in Albania”.

Shefi i Agjencisë për Bujqësi, Sergei Dankvert ka thënë se emri i Shqipërisë po përdoret për të kamufluar importet nga Bashkimi Evropian, duke përdorur si transit Bjellorusinë apo Kazakistanin. Prandaj, sipas tij, për këto arsyeje Moska zyrtare ndalon importet bujqësore nga Shqipëria.

Ky fakt u zbulua nga një hetim i përbashkët i autoriteteve ruse me palën shqiptare, ka thënë ai.

“Nga hetimet rezultoi se çertifikatat fitosanitare të produkteve që mendohej se vinin nga Shqipëria, falsifikoheshin në Çeki. Nga të dhënat e plasuar nga pala shqiptare u vu re se sasia e prodhimit shqiptare nuk e justifikonte ngarkesën e shtuar të perimeve të importuara nga Shqipëria”, kanë deklaruar zyrtarët në Moskë.