Kosova

Për çka dyshohet Thaçi?

Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 24 qershor ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Më herët gjatë të enjtes, kreu i PDK-së, Kadri Veseli njoftoi se Dhomat e Specializuara i kanë konfirmuar aktakuzën, raporton Evropa e Lirë, përcjell albinfo.ch.

Ndryshe, Prokurori i Specializuar e ka gjykuar të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, “për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve, Thaçi dhe Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftim.

Në korrik, Thaçi është marrë në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, ku ka folur, siç ka deklaruar, për rolin e tij, përgjegjësitë e tij gjatë luftës, në periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale.

“Pikërisht, përpjekjet për të rishkruar historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë, janë gjithashtu përpjekje për të njollosur intervenimin humanitar të NATO-s në Kosovë. Por, e vërteta jonë e dhimbshme dhe krenare, është e pastër si loti, ndërsa historinë tonë nuk do të mund ta ndryshojë askush. Ajo është e drejtë, është e pastër dhe jemi krenarë”, u shpreh ai më 16 korrik pas daljes nga prokuroria në Hagë.

Thaçi më 29 qershor pati deklaruar se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita e presidentit.

Gjykata Speciale apo siç quhet zyrtarisht, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, është kopje e sistemit gjyqësor të Kosovës në miniaturë, në Hagë. Ajo i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën prej janarit 1998 e deri në dhjetor 2000, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

Gjykata është formuar me vendimin e Kuvendit të Kosovës, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo kryesisht financohet nga Bashkimi Evropian. Kryeprokurori i Specializuar, amerikani Jack Smith, më 14 shkurt, ka dorëzuar aktakuzat e para në gjykatë.

Aktakuza e parë e komfirmuar nga Dhomat e Specializuara për krime luftë është ndaj Salih Mustafës, ish-eprorit të lartë të UÇK-së.

Më 24 shtator, Dhomat e Specializuara bën publike aktakuzën ndaj Mustafës, i cili u arrestua dhe u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.

Më 4 nëntor, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në Hagë pas konfimimit të aktakuzës për krime lufte.

Po ashtu, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i cili ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së njoftoi se i është konfirmuar atakuza dhe se më 5 nëntor është nisur drejt Hagës.

Çka pas dorë​heqjes së​ presidentit?

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nenit 90, në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij, ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës është Vjosa Osmani.

Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Kushtetuta parasheh se presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu kryetarit të kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së presidentit.

Kosova me dorëheqjen e presidentit është ballafaquar edhe në vitin 2010, kur Fatmir Sejdiu dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konstatimit e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se ai e “ka shkelur seriozisht Kushtetutën”, me faktin se ka mbajtur dy poste – atë të presidentit të Kosovës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës në atë kohë ishte bërë Jakup Krasniqi, i cili ishte kryetar i kuvendit.

Rrugëtimi i Thaçit deri në presidencë

Ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur atëbotë edhe me nofkën “Gjarpri”, Hashim Thaçi ishte deri më tani President i Republikës së Kosovës, i zgjedhur më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës.

Karriera politike e Hashim Thaçit fillon me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, ndërsa Universiteti i Prishtinës filloi të vepronte jashtë sistemit institucional.

Nga viti 1997, Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë cilësi, ai kryesoi delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.

Pas luftës në Kosovë, ai formoi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), parti kjo e cila rreth vetes mbledh numrin më të madh të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

PDK-ja zgjedhjet e para të përgjithshme i fitoi më 17 nëntor të vitit 2007, pas të cilave zgjedhje, ai u zgjodh kryeministër i Kosovës.

Në vitin 2008, më 17 shkurt, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, ishte Hashim Thaçi ai që e lexoi Deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, gjatë mandatit të parë si kryeministër, por edhe të dytit si kryeministër, Thaçi është përballur me kritika për dështimet në luftën kundër korrupsionit, shkallën e lartë të varfërisë dhe papunësisë, por edhe për përpjekjet e qeverisë për të vënë kontroll mbi mediat vendore në Kosovë.

Thaçi u vu në qendër të mediave botërore në dhjetor të vitit 2010, në një raport të Këshillit të Evropës, mbi krimin e organizuar, e në të cilin thuhej se “kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptar të tipit mafia, përgjegjës për kontrabandimin e armëve, drogës dhe organeve njerëzore”.

Qeveria në Kosovë pati hedhur poshtë vendosmërisht akuzat dhe pati ofruar bashkëpunim të plotë me hetuesit.

Hashim Thaçi është i lindur më 24 prill 1968 në fshatin Burojë të Skenderajt.