Kosova
“Për ata që s’u kthyen: një zë nga Qyshku”
Një dëshmi nga Masakra e Qyshkut (Komuna e Pejës), 14 maj 1999. Intervistë me autoren e librit, Edona B. Kelmendi
Ka libra që lexohen, dhe ka libra që të ndalojnë frymën. “Për ata që s’u kthyen” i Edona B. Kelmendit nuk është një libër që mbyllet lehtë, është një rrëfim që të mbetet në trup, sepse vjen nga një fëmijë që pa atë që asnjë fëmijë nuk duhet ta shohë kurrë.
Ky libër është një dëshmi e drejtpërdrejtë nga Masakra e Qyshkut, në komunën e Pejës, e ndodhur më 14 maj 1999 – një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë. Nuk flet për luftën si histori, por për luftën si jetë të ndërprerë, si fëmijëri të djegur, si mungesë që nuk mbyllet asnjëher.
Qyshku – dita që nuk mbaroi kurrë
Kur Edona kthehet pas, ajo nuk kthehet te kujtimet, ajo kthehet te ajo ditë e 14 majit në Qyshk, kur shtëpitë u dogjën, njerëzit u dogjën e u vranë për së gjalli dhe fëmijëria e saj u ndërpre me dhunë.
“Të kthehesh pas është si të prekësh një plagë që nuk u mbyll kurrë plotësisht dhe nuk do të mbyllet asnjëherë.”
Ajo flet për një fëmijë që u detyrua të rritej shumë shpejt, mes frikës dhe humbjes së pakompensueshme. Një fëmijë që nuk kishte kohë të kuptonte çfarë po ndodhte, por ndiente se diçka e pakthyeshme po ia merrte gjithçka.
Sot, ajo kthehet pas jo për të rihapur dhimbjen, por për t’i dhënë zë asaj fëmijërie të heshtur – për të treguar se, edhe pse u godit rëndë, ajo nuk u shua.
Kujtimi që jeton në trup
Po t’i mbyllë sytë, Edona nuk sheh vetëm pamje, ajo ndien, erën e tymit që të ngulfat, krismat e armëve që të çajnë veshët, shtëpitë në flakë, të qarat e fëmijëve, paniku në sytë e të rriturve që nuk dinin si t’i mbronin të vegjlit.
“Në atë moshë nuk e kuptoja çfarë po ndodhte, por ndjeja se diçka e pakthyeshme po më merrte gjithçka.” Kjo ndjesi e asaj dite në Qyshk është sot kujtimi më i fortë që e shoqëron – një akt çnjerëzor që, siç thotë ajo, asnjë mendje e shëndoshë nuk mund ta kuptojë plotësisht.
Babai që nuk u kthye kurrë
Gjatë Masakrës së Qyshkut, babai i saj, Besim D. Kelmendi, vetëm 36vjeç, humbi jetën, së bashku me familjarë të tjerë. Kjo humbje nuk kapërcehet, ajo bëhet pjesë e jetës.
Si fëmijë, Edona e mbante dhimbjen si barrë, madje si faj – pa e ditur pse. Si grua, ajo kupton se forca, karakteri dhe qëndrueshmëria e saj janë ndërtuar mbi mungesën, por si nënë, kjo humbje merr një peshë tjetër.
“Përmes vajzave të mia, e kuptoj më thellë dashurinë e prindit dhe dhimbjen e asaj që më është mohuar.”
Sot, ajo jeton me mungesën, por edhe me një përgjegjësi të shenjtë: që emrat e tyre të jetojnë, që historia e tyre të mos zhduket, që fëmijët e saj të dinë nga vijnë, çfarë iu mor padrejtësisht dhe sa e shtrenjtë është jeta.
Shkrimi si domosdoshmëri për të mbijetuar
Ky libër nuk ishte vetëm një zgjedhje. Ishte një nevojë. Edona nuk mund ta pranonte që emrat e të dashurve të saj të mbeteshin vetëm gdhendje në lapidar. Ajo deshi t’u jepte zë, fytyrë dhe vend në histori. Por rruga drejt këtij libri nuk ka qenë e lehtë. “Kam pasur shumë momente kur nuk mund të vazhdoja dhe thoja se nuk ia dalë dot, por dashuria për ata që humba dhe krenaria për qëndresën e tyre më kanë shtyrë të mos ndalem.
Ky libër nuk është shkruar as për një muaj, as për një vit. Më është dashur kohë, forcë dhe kurajë të kthehem mbrapa, të kujtoj dhe të rijetoj momente që dikur përpiqesha t’i harroja, vetëm për të mbijetuar.”
“Për ata që s’u kthyen” është mënyra e saj për t’i mbajtur gjallë dhe për të mos lejuar që ajo që ndodhi në Qyshk të tretet me kohën. Sepse, siç thotë ajo, harresa rrezikon përsëritjen.
“Nuk janë larguar kurrë nga ne. Jetojnë në emrat që mbajmë, në fëmijët që rrisim, në vlerat që përpiqemi t’i ruajmë dhe në rrugën që ecim çdo ditë. Dhimbja mund të na ketë thyer, por na ka bërë edhe më të vetëdijshëm për jetën dhe për njëri-tjetrin. Nuk i kemi harruar dhe nuk do t’i harrojmë kurrë.” “Historia e tyre do të jetojë.
Emrat e tyre do të lexohen me nderim dhe dashuria për ta do të vazhdojë të kalojë brez pas brezi –me krenari, me dinjitet, me besnikëri.”
Dy zëra, një dhimbje
Ky libër flet me dy zëra: zërin e Edonës fëmijë – të pastër, të pambrojtur, aty ku dhimbja ndihet më shumë sesa kuptohet dhe zërin e Edonës së rritur – që shkruan me vetëdije dhe përgjegjësi, për t’i dhënë kuptim asaj që një fëmijë nuk mund ta shpjegojë dot.
Dhimbja dhe heshtja e botës
Dhimbja e humbjes është e përhershme. Por heshtja e botës dhe mungesa e drejtësisë e rëndojnë edhe më shumë. “Humbja të thyen një herë. Padrejtësia të lëndon çdo ditë”. Sidomos kur krimet mohohen ende sot. Kur e vërteta vihet në dyshim. Kur ata që i kryen krimet vazhdojnë t’i mohojnë – edhe pse ajo i pa me sytë e saj dhe i jeton ende në tmerret e natës.
Drejtësia e vonuar nuk e shëron dhimbjen, mungesa e saj e mban plagën hapur.
Një mesazh për brezat që vijnë
Lufta nuk është një faqe e largët historie. Pasojat e saj jetojnë ende mes nesh – në familje të copëtuara, në plagë që nuk duken dhe në heshtje që nuk kuptohen.
Liria ka një çmim. Njohja e së vërtetës nuk është barrë, por përgjegjësi. “Kujtesa nuk është zgjedhje, është detyrim.” Përtej gjuhës dhe kufijve
Edona dëshiron që ky libër të përkthehet në abglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, për t’u lexuar edhe nga publiku jo-shqipfolës, sepse kjo histori nuk është vetëm shqiptare – është thellësisht njerëzore. Një thirrje universale për dinjitet, drejtësi dhe paqe.
“Për ata që s’u kthyen” tashmë ndodhet në shitje në libraritë e Kosovës dhe së shpejti shpresojmë e urojmë që ky libër të prekë edhe libraritë ndërkombëtare, përtej kufijve dhe gjuhës. Sepse kujtesa nuk i përket vetëm një vendi dhe sepse harresa vret për herë të dytë.
Ju ftojmë të bëheni pjesë e përurimit të librit “Për ata që s’u kthyen” nga Edona B. Kelmendi, një rrëfim i ndjerë mbi kujtesën, mungesën dhe plagët që nuk mbyllen kurrë.
14 shkurt 2026 | 14:00
Galeria e Arteve – Ferizaj
Info rreth ngjarjes
- Data e fillimit14 Shkurt 2026
- Ora14:00
- LokacioniGaleria e Arteve – Ferizaj
- Data e përfundimit14 Shkurt 2026 - 16:00
E-Diaspora
-
RAI Calabria i jep zë identitetit arbëresh përmes dokumentarëve RAI Calabria po vazhdon angazhimin e saj në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe në Itali.... -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025
Jeta në Austri
-
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro Vjena pret që deficiti buxhetor i vitit 2025 të arrijë në total 2.8 miliardë euro, 1... -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë -
Pranon fajin në tërësi: Tre vjet e gjysmë burg për kosovarin
















