Lajme

Për 8 ditë, 4 votues nga diaspora

Më 6 qershor përfundon periudha e votimit me postë, ndërsa nëse merret për bazë dinamika e deritanishme, votimi nga diaspora konsiderohet i dështuar

Më 27 maj ka filluar votimi nëpërmjet postës për qytetarët e diasporës, ndërsa deri të martën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë arritur vetëm 4 vota. Më 6 qershor, ndërkaq përfundon periudha e votimit me postë, ndërsa procesi i këtij lloj votimi konsiderohet shumë i dobët.

 

Sipas përfaqësuesve të KQZ-së, vetëm 3900 mërgimtarë nga mbi 700 mijë sa janë jashtë vendit, kanë aplikuar për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa vetëm 3369 votues janë certifikuar për votim.

 

Mirëpo deri në përmbylljen e votimeve me postë kanë mbetur vetëm edhe 3 ditë, ndërsa nëse merret për bazë dinamika e deritanishme, votimi nga diaspora konsiderohet i dështuar.

 

Për periudhën e regjistrimit për votimin jashtë vendit, KQZ ka shpërndarë aplikacione në 190 pika në 25 shtete të botës. Në pikat shpërndarëse janë të përfshira Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Kosovës në të gjitha kontinentet.