Lajme

Për 6 muaj shuhen 900 biznese

Për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shuar 909 biznes, 18-të prej tyre janë kompania të huaja

Derisa Qeveria e Kosovës në planin zhvillimor parashikoi lehtësira për bërje biznesi, madje edhe ulje të tatimeve për bizneset që gjenerojnë punësim, në anën tjetër numri i bizneseve që po falimentojnë është shumë i madh dhe mjaft shqetësues. Vetëm brenda gjashtë muajve të shkuar, sipas statistikave, janë mbyllur 909 biznese.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë shuar 909 biznes , dhe po në këtë periudhë biznese me pronësi të huaja janë shuar 18-të.

Vjollca Dibra, zyrtare për informim në MTI-së, tha për KPress, se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 5 mijë e 182 biznese të reja, ndërsa me pronësi të huaj 211. Sipas saj, Turqia është shteti që më së shumti ka bërë investime gjatë kësaj periudhe.

Dibra tha së nga Turqia janë regjistruar investime në vlerë 20.10 milion euro, nga Zvicra 19.4 milion euro, Gjermania 11.4 milion euro, Austria me 9.1 milion euro, Shqipëria 9.7 milion euro , ndërsa nga Amerika janë regjistruar 5.5 milion euro investime në këtë gjashtë mujorësh.

Ajo po ashtu tha se gjatë periudhës 6 mujore Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë KIESA, ka realizuar kontakte me 46 kompani të cilat kanë kërkuar informata dhe kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë.

“Këto kompani janë të sektorëve të ndryshëm duke filluar nga bujqësia, ndërtimi, tekstili dhe vijnë nga vendet si: Gjermania, Zvicra, Kanada, Kore e Jugut, Austria, Italia etj. Kryesisht sektorët të cilët kane zgjuar më së shumti interes janë agrikultura, energjia e ri-përtritshme, tekstil, prodhime farmaceutike, lëkure, produkte organike, etj”, tha Dibra.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se Kosova po i vuan pasojat politike të vitit të kaluar.

“Viti 2014 ka qenë një vit mjaftë sfidues në aspektin ekonomik. Me të vërtet ka qenë ndër vitet më të dështuara për Kosovën e pasluftës. E kur krejt kësaj i shtohet fakti që ka qenë një vit kalendarik 6 muaj pa qeveri, e ka bërë mjaftë të vështirë të bërit biznes në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

Ai tregon se arsyeja e numrit të madh të bizneseve të shuara vijnë si pasoj e ambientit të keq që ka qenë deri tash. Sipas tij, me ndryshimet e parapara të qeverisë, do të ketë përmirësim të gjendjes ekonomike.

“Ajo çka është më shqetësuese që aktualizohet në Kosovë janë numri i bizneseve të mbyllur”, tha Gërxhaliu, sipas të cilit, në vitin 2015-të të kemi biznese të reja të investitorëve nga jashtë dhe në këtë drejtim duhet të qëndrojmë në këtë përbërje.

Ndërsa Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, tha se është shqetësuese raporti ndërmjet bizneseve të regjistruara dhe atyre të shuara.

Sipas tij, brenga më e madhe është fakti se Kosova ende nuk ka ndërtuar një ambient të qëndrueshme për biznese, ndërsa politikat fiskle nuk mjaftojnë, meqenëse ato më shumë ndërlidhen me konsumatorin se sa me biznesin.

“Madje, me politikat e këtilla nuk ndryshon shumë ambienti biznesor, meqenëse biznesit i duhet edhe siguri, mbrojtje, por edhe masa të tjera nxitëse- qoftë edhe lehtësi e investime”, tha Rexhepi.