Lajme

Për 6 muaj, 400 raste dhunë familjare

Sipas OSBE-së, vetëm nga janari deri në qershor të vitit 2014, në Policinë e Kosovës janë raportuar më shumë se 400 raste të dhunës në familje

  • Cana jep autograf ne mes te lojës

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka filluar të mërkurën me 26 nëntor një fushatë kundër dhunës në familje të titulluar “Burrat e vërtetë kurrë nuk i rrahin gratë”. Me këtë fushatë përfaqësuesit ndërkombëtarë për edhe lidershipi kosovar, bën thirrje për zbatimin e plotë të të drejtave gjinore.

Fushata informuese, siç thuhet, mbështet përpjekjet e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave për të parandaluar dhunën në familje dhe për të motivuar publikun që t’i raportojë rastet te mbrojtësit e viktimave.

“Dhuna në familje është fenomen i përhapur në Kosovë, si në krejt botën, dhe për fat të keq nuk është gjithmonë e lehtë të identifikohet ose të zgjidhet sepse shumë njerëz e konsiderojnë çështje të brendshme familjare. Sot, ne themi se dhuna në familje nuk është çështje e brendshme familjare dhe se duhet të ndiqet penalisht,” tha Neil Tobin, Shef i Zyrës Rajonale të Misionit të OSBE-së në Prishtinë në hapje të fushatës.

Tobin tha se vetëm nga janari deri në qershor të vitit 2014, në Policinë e Kosovës janë raportuar më shumë se 400 raste të dhunës në familje, kurse shumë të tjera nuk raportohen fare.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kërkoi që të respektohen plotësisht të drejtat e grave, si të drejta të garantuara me ligjet ndërkombëtare.

“Shpeshherë dhuna ndaj gruas është konsideruar si një çështje private e familjes, por shkelja e të drejtave të njeriut është çështje e të gjithë shoqërisë. Andaj është obligim i institucioneve të vendit dhe i tërë shoqërisë të ndërmarrim masat e nevojshme për të parandaluar këtë fenomen”, ka thënë Jahjaga.

Shoqëritë në mbarë botën, sipas saj, fillojnë 16 ditët e aktivizimit të fushatës botërore të ndërgjegjësimit kundër dhunës gjinore, pasi ky fenomen siç tha presidentja kosovare, prek të gjitha shoqëritë pa dallim.

“E shënojmë këtë ditë edhe në Kosovë me qëllim që të ndërgjegjësojmë qytetarët tanë se dhuna në familje dhe dhuna ndaj gruas është e patolerueshme dhe e papranueshme. Kjo nuk është vetëm shkelje e të drejtave të tyre, por nënçmim ndaj familjes dhe nënçmim i shoqërisë sonë”, tha Jahjaga.

Jeta e secilit qytetar të këtij vendi, sipas saj, ka vlerë prandaj është obligim për t’i mbrojtur gratë. Viktimat siç tha në vazhdim Jahjaga, duhet mbrojtur dhe abuzuesit duhet të dalin para drejtësisë.

“Ne jemi duke ndërtuar një shtet demokratik andaj barazia gjinore duhet të jetë vlerë e jona, ku roli i gruas është i garantuar në çdo fushë të jetës dhe ku të drejtat e secilit qytetar janë të garantuara pa dallim gjinie apo moshe”, deklaroi presidentja, duke shprehur mbështetjen kundër dhunës gjinore.

Fushata 16 ditore kundër dhunës ndaj grave, ka si personazhe dy profesionistë të sporteve luftarake nga Kosova: boksierin Armend Xhoxhaj dhe kik-boksierin Marko Bozovia, të cilët vullnetarisht janë bërë fytyra të fushatës dhe bartës të porosisë së fushatës si burra që përdorin forcën si pjesë e punës së tyre por kurrë kundër grave.